Deputeti i PD nuk largohet nga Kuvendi, ndërpritet sërish seanca

Shqipëria

Deputeti i PD nuk largohet nga Kuvendi, ndërpritet sërish seanca

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 12:14
Kuvendi

Ndërpritet për të katërtën herë seanca plenare pasi deputeti i PD-së, Endri Hasa i përjashtuar nga Byroja për 10 ditë nuk pranon të dalë nga salla.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se Byroja vendosi përjashtim me 10 ditë për deputetin Endri Hasa, nisur nga sot. “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Zoti Hasa liro sallën. Kryetar i grupit nxirre deputetin përjashta. Hasa liro sallën. Zoti kryetar i grupit kontribuo për të zbatuar vendimin për të liruar sallën dhe për të mos e mbajtur peng deputeti i grupit tënd parlamentar. Procedura do vazhdojë kur deputeti të lirojë sallën. Peng seancën nuk mund ta mbajë asnjë deputet dhe asnjë grup parlamentar. Sipas rregullores. Me sa duket s’keni ardhur për të debatuar sot. Ndërpritet seanca”, tha Ruçi.

Tensione dhe tone të larta kanë shoqëruar seancën plenare. Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancë por jo për shumë gjatë. Ai ka deklaruar se do ia lërë fjalën kreut të PD-së pasi vetë do vazhdojë dialogun me studentët. Por sapo ka thënë këto fjalë Rama është sulmuar nga deputeti i PD Endri Hasa, i cili ka tentuar ta qëllojë kryeministrin me vezë. Edhe deputeti tjetër i PD Gent Strazimiri është çuar në këmbë por ka ndërhyrë menjëherë garda.

Seanca ndërpritet, tha kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndërkohë që Berisha që doli në foltore për të mbajtur fjalën nuk i jepet fjala.

Bujarisht grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë z.kryetar minutat e mia në këtë foltore do t’ia fal liderit të opozitës, i kthyer këtu me mandate të pjekura po jo të djegura. Sot më shumë se asnjëhere askush se përvec Lulzimi, s’mund t’ju tregojë shqiptarëve pse zgjidhja e tyre e vetme është kjo shumicë qeverisëse. Ndërsa unë vetë do të shkoj të vazhdoj dialogun e vështirë me studentët …” ishin fjalët e Ramës, ndërsa deputeti Hasa qëlloi me vezë në drejtim të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat