Amendamentet e PD-së, përpjekja e fundit për të penguar reformën në drejtësi

Shqipëria

Amendamentet e PD-së, përpjekja e fundit për të penguar reformën në drejtësi

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 17:39
Taulant Balla

“Amendamentet e Partisë Demokratike për vetingun në politikë janë përpjekja e opozitës për t’i vendosur ferrën e fundit reformës në drejtësi”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “për vetingun në politikë ka vetëm dy institucione të gjithëpranuara dhe ato janë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”.

Kjo, tha Balla, ishte përpjekja e fundit për të penguar reformën në drejtësi. Balla informoi se pritshmëritë për ngritjen e BKH-së janë më shpejt se sa fundpranvera e vitit tjetër.

BKH dhe SPAK, tha ai, janë dy institucionet që bëjnë të mundur vetingun e vërtetë të politikës.

Ndërkohë opozita, sipas Ballës, pretendon se kërkon vetingun e politikanëve, por nga ana tjetër nuk kërkon hetimin e pasurisë apo të familjarëve. “Ne nuk mjaftohemi vetëm me largimin e politikanit të korruptuar nga politika, por garantojmë që të merren masa ndëshkuese. Si mund të plotësohet pritshmëria e shqiptarëve kur kërkohet që politikanët e korruptuar të ikin nga politika pa u përballur me drejtësinë”, tha Balla.

Sipas tij, opozita u kthye në Kuvend pas 6 muajsh bojkot, ndërkohë që institucionet kushtetuese janë në prag të nisjes së punës.

“Luli nuk merret fare me pasurinë e politikanëve, as me familjarët dhe me dënimin e politikanëve të dënuar apo të lidhur realisht me krimin. Ne jemi gati për vetingun e politikanëve dhe për këtë jemi angazhuar që me nisjen e reformës në drejtësi”, tha Balla.

Sipas tij, “reforma në drejtësi jep 100% garanci për një veting real në politikë”.

Balla ftoi po ashtu opozitën që të votojë reformën zgjedhore, e cila sipas tij “është drafti më i mirë që përmban të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në 3 zgjedhjet e fundit”.

“Ai përmban të gjitha kërkesat e tua kur ishe në çadër si testimi i teknologjisë në zgjedhje në të paktën 200 qendra votimi. Në janar, jam gati që së bashku të ngremë edhe një komision tjetër të posaçëm për ligjin e financimit të partive politike. Është historike depolitizimi i komisioneve zgjedhore në këtë draft”, tha Balla.

Po ashtu, ai theksoi se drafti parashikon që për zgjedhjet e 2021 të bëhen ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor sa i takon votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, dhe që janë më shumë se 1/3 e shqiptarëve. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat