Rrëzohet me 72 vota “kundër” projekt-ligji i PD për vetting në politikë

Shqipëria

Rrëzohet me 72 vota “kundër” projekt-ligji i PD për vetting në politikë

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 21:31
Kuvendi i Shqipërisë

Projekt-ligji i Partisë Demokratike për vetting në politikë është rrëzuar nga Kuvendi. Me votat e maxhorancës, parlamenti i Shqipërisë rrëzoi projekt-ligjin opozitar.

Nisma ligjore e PD ka marrë 52 vota pro, 74 kundër, ndërsa 10 parlamentarë nuk kanë votuar.

Kryetari i PD Lulzim Basha mbajti një fjalë të gjatë para votimit e kërkoi vetting në politikë.

Image
Votimi

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka mbajtur një fjalë të gjatë në parlament, ku ndër të tjera vuri në dukje se vendi ka nevojë për politikanë të pastër dhe ndaj duhet vettingu në politikë. Basha tha se vettingu ka shumë rëndësi, duke kujtuar se ka qenë PD dhe opozita që kërkoi ligjin e dekriminalizimit dhe se ai ligj kishte sukses, duke pastruar klasën politike të vendit nga elementët kriminalë.

“Unë iu them sot nga salla e Kuvendit të Shqipërisë se politikës i duhet vetting. E di se shumë prej jush nuk e duan atë sepse iu vjen fundi, se iu mbyllet karriera, por se fiton Shqipëria, rinia dhe e ardhmja është më e mirë për kombin shqiptar”, tha ndër të tjera Basha.

Fjala e Bashës në parlament:

Ndodhemi në një moment deja vu. Tre vjet më parë, nga kjo sallë PD formuloi zgjidhjen e dekriminalizimit të politikës dhe të shtetit. Njerëz të kriminalizuar janë sjellë në Kuvend nga PS, u bënë deputetë dhe drejtor të mëdhenj.

Merita e këtyre njerëzve nuk ishte as artikulimi politik i asaj që ndodh në vend, e as ndihma për njerëzit. Këta njerëz kishin qenë në burg për krime të ndryshme, disa për përdhunime. Një pjesë tjetër për helmimin e brezit të ri, për trafik droge. Rama i ka sjellë në këtë sallë, i ka emëruar nëpër zyra të shtetit dhe iu ka dhënë çelësat e qeverisë.

Nën sloganin e bashkimit të të gjithë qelbësirave të Shqipërisë për të marrë pushtetin me dhunë, Rama ka bërë të tilla maskarallëqe në kurriz të popullit. Kjo nuk është aspak retorikë, por është e vërteta. Shqiptarët janë duke paguar këtë faturë të kriptë të një politike kriminale, që ha dhe pi me krimin. Sot gjysma e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Rama i ka rezistuar dekriminalizimit më shumë se 2 vjet, por se më vonë u dorëzua dhe largoi njerëzit e krimit dhe të paskrupullt nga kjo sallë dhe nga zyrat e Shqipërisë.

Marrëdhëniet e Ramës dhe krimit sa vjen dhe bëhen më të forta. Sot krimi është qeveria e vërtetë. Krimi qeveris. Sot opozita do të votojë amendamentet kushtetuese, që do të jetë njësoj si vepruam pak vite më parë. Sot kemi vetting për policët, për gjyqtarët dhe prokurorët, asnjë ndryshim nuk do ketë as për politikanët. Sot nga kjo sallë një vetting do të bëhet, sot nga kjo sallë do të kuptohet se cilët kanë frikë që t’i nënshtrohet kontrollit.

Kemi një deputet të quajtur Ergys Çyrbja që është e konfirmuar që është pjesë e bandave. Kemi Fatmir Xhafajn që ka ndihmuar vëllanë e tij. Kemi atë që do të flas pas meje e se ka thënë se ka një mik trafikant. Kemi Alket Hysenin që ka rrëmbyer toka në Dhërmi. Kemi Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, kemi Dakon e 339-ës. Kemi Saimir Habilajn dhe natyrisht kreun e kësaj pune Edi Ramën.

Këta nuk e duan vettingun, sepse për disa është fundi i karrierës politike. Por se për Shqipërinë është një shpresë, ndaj bëj ftesë që të bëhet vettingu dhe politikanët të mund të vlerësohen siç e meritojnë. Ne u themi që të bëjnë vetë ligjet e vettingut dhe në do i votojmë, por të jenë të pëlqyera dhe të miratuar nga Venecia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat