PD publikon videon: Si u devijua projekti për t’i dhënë leje ndërtimi Begos

Shqipëria

PD publikon videon: Si u devijua projekti për t’i dhënë leje ndërtimi Begos

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 15:49
Partia Demokratike

Partia Demokratike publikoi një material video të marrë nga sistemi i Agjencisë Kombëtarë të Planikimit të Territorit, ku sipas saj vërtetohet miratimi i fazës së parë të pajisjes me leje ndërtimi për Edmond Bego për të rrëzuar pretendimet e Bashkisë së Tiranës se nuk ka dhënë leje ndërtimi për biznesmenin Bego.

“Sistemi nxjerr zbuluar mashtrimin e Erion Veliajt se gjoja në atë truall nuk ka asnjë projekt për ndërtim pallatesh. Në sistem prona që detyroi Edi Ramën dhe Erion Veliajn të ndryshojnë Planin Urbanistik të Tiranës dhe projektin për Lumin Lanë pranë zonës së Unazës së Re rezulton se ka kaluar fazën e parë të pajisjes me leje ndërtimi. Pas miratimit të fazës së parë, pajisja me leje ndërtimi e projektit 60 milionë euro që devijoi lumen e Lanës është vetëm formalitet”, deklaroi Ina Zhupa.

“Siç mashtroi qytetarët e Tiranës se gjatë mandatit të tij do të kishte zero ndërtime në kryeqytetet, njësoj po mashtron edhe sot Erion Veliaj se nuk ekziston projekti 60 milionë euro, i cili e detyroi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës të ndryshojë Planin Urbanistik dhe projektin për Lumin e Lanës”, tha Gazmend Bardhi.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike solli në vemendje pyetjet për të cilat pritet një përgjigje nga Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj.

“Pse u ndryshua Plani Urbanistik i Tiranës dhe pse u devijua Lumi i Lanës në zonën ku planifikon të ndërtojë Edmond Bego? A ka aplikuar Edmond Bego për leje ndërtimi me projektin e hartuar nga kompania italiane MISALAB? A do të prishen banesat e 200 familjeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve nga Edmond Bego? Paratë e kujt do të investohen në projektin që ndryshoi rrjedhën e Lanës?”, ishin disa nga pyetjet që ngriti zëdhënësja e PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat