Opozita letër Ruçit: Dekreti i Presidentit për Dividentin të rishikohet

Shqipëria

Opozita letër Ruçit: Dekreti i Presidentit për Dividentin të rishikohet

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 12:46
Gramoz Ruçi

PD dhe LSI i janë drejtuar këtë të hënë kuvendit me një letër, ku i kërkojnë Gramoz Ruçit që të anulojë vendimin e parlamentit, i cili pak ditë më parë rrëzoi dekretin e Presidentit Meta “Për Tatimin mbi të Ardhurat”

Sipas deputetëve të opozitës vendimi është marrë në kundërshtim të hapur me ligjin, e kësisoj ata kërkojnë thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet e Imunitetin që të zhbëjë vendimin e marrë më 20 dhjetor.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqipërisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetesën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me çështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër.

Krerët e grupeve parlamentare kërkojnë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që:

1-Të konstatojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit.

2-Të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit anulimin e vendimit të Kuvendit të datës 20 dhjetor 2018.

3-Të kërkojë nga kryetari i Kuvendit shqyrtimin e miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për disa ndryshime dhe shtetas në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas procedurave ligjore të paracaktuara nga Rregullorja e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat