Paguanin shumë miliarderët që Rama u përgjysmoi taksën?! E vërteta flet ndryshe - Bota Sot
Paguanin shumë miliarderët që Rama u përgjysmoi taksën?! E vërteta flet ndryshe

Shqipëria

Paguanin shumë miliarderët që Rama u përgjysmoi taksën?! E vërteta flet ndryshe

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Ulja e tatimit mbi dividentin nga 15 në 8 për qind ka shkaktuar debate të forta jo vetëm politike, por edhe në publik.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar qeverinë se kjo masë është një dhuratë për oligarkët, të cilët tani do të paguajnë më pak taksa për të ardhurat që sigurojnë nga korporatat e tyre. Por sa kanë paguar të pasurit përmes kësaj takse?

Top Channel publikon të dhënat zyrtare të siguruara nga Drejtoria e përgjithshme e tatimeve. Sipas tyre, vitin e kaluar aksionerët e bizneseve të mëdha paguan 3 miliardë lekë ose rreth 24 milionë euro si tatim për fitimet e siguruara nga kompanitë e tyre. Kjo shifër është gati 7 herë më e ulët se të ardhurat që qeveria mblodhi nga taksimi i pagave të punonjësve.

Edhe pse në vitin 2015, qeveria e rriti me 50 për qind tatimin mbi dividentin duke e bërë nga 10 për qind që ishte në 15 për qind, të pasurit nuk kanë paguar më shumë nga kjo taksë. Madje për dy vite me radhë, në 2015-2016, të ardhurat e mbledhura nga taksimi i dividentëve ranë me mbi 20 për qind, ndërsa vitin e kaluar shënuan një rritje, por duke qenë sërish më pak se sa në vitin 2014.

Të ardhurat e aksionerëve të kompanive taksohen dy herë; një herë përmes tatim fitimit dhe pastaj kur shpërndahen si dividentë. Sipas qeverisë të dy këto taksa e çonin ngarkesën fiskale të investitorëve në gati 28 për qind e fitimit, ndaj u gjykua që taksa e dividentit të zbutet duke e reduktuar barrën për aksionerët e kompanive në nivele të njëjta me shkallën maksimale që zbatohet në taksimin e pagave të larta.

Në vitin 2017, gjatë fushatës elektorale, Partia Socialiste premtoi uljen e tatimit mbi dividentin dhe lehtësimin e taksës mbi pagat. Por teksa tatimi i dividentit gati u përgjysmua, lehtësimi i tatimit mbi pagat ishte më modest, duke prekur vetëm fashën e pagave nga 130 deri në 150 mijë lekë në muaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...