Studentët mbyllin protestën e parë për 2019, rezistenca do të vazhdojë nesër

Shqipëria

Studentët mbyllin protestën e parë për 2019, rezistenca do të vazhdojë nesër

Më: 7 janar 2019 Në ora: 13:59
Protesta e studentëve

Pas rreth 4 orësh protestë, studentët e kanë mbyllur këtë të hënë tubimin e tyre të parë për vitin 2019 me premtimin që nesër do të jenë sërish përballë kryeministrisë.

Edhe për këtë fillim viti, studentët kanë kërkuar plotësimin e 8 pikave të panegociueshme, madje duke shtuar dhe një kërkesë tjetër, atë të rrëzimit të ligjit për arsimin e lartë, një kërkesë e cila mbetet për t’u parë nëse do të vijojë të artikulohet nga të rinjtë edhe në ditët në vijim si një pikë e panegociueshme dhe që mund të sjellë përplasje të forta me vetë kryeministrin. Rama më herët e ka thënë disa herë është se nuk do ta lëshojë ligjin dhe se problemi nuk qëndron atje.

Protesta e sotme nisi me bojkotimin e auditorëve dhe ndryshe nga herët e tjera ka qenë më e pakët në numër. Vtë studentët janë shprehur se shumë prej të rinjve në rrethe nuk kanë ardhur në kryeqytet dhe kanë zgjedhur që protestën e tyre ta përvijojnë përmes bojkotimit të auditorëve.

Studentët sot janë mbledhur rreth orës 9:00 përpara kryeministrisë dhe kanë bërë thirrje që Rama dhe qeveria të plotësojnë kërkesat e tyre përmes parlamentit dhe jo me VKM. Disa prej të rinjve kanë gozhduar madje dhe dyert e fakulteteve, një gjest ky i komentuar nga Rama si shenja e atyre protestuesve që nuk e duan rebelimin e të rinjve por përkundrazi duan ta marrin peng për qëllime politike.

Nesër pritet të zhvillohet e njëjta protestë përballë kryeministrisë rreth orës 9:00 të paradites, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se edhe nëse nuk tubohet nëpër sheshe, do të ketë një bojkot total të universiteteve deri në plotësimin e kërkesave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat