Detajet e mbledhjes së qeverisë, Rama i tha Braçes të nisë "likuidimin" e administratës

Shqipëria

Detajet e mbledhjes së qeverisë, Rama i tha Braçes të nisë "likuidimin" e administratës

Më: 7 janar 2019 Në ora: 15:49
Foto nga takimi

Kryeministri Rama ka mbledhur në një takim informal kabinetin e tij, përfshirë si ministrat e larguar ashtu edhe ministrat e rinj.

Larg syrit të medias, në një nga komplekset turistike në Elbasan, kreu i qeverisë ka dhënë vetë disa orientime në “Tëitter” të asaj që është diskutuar në këtë takim, shoqëruar dhe me foto.

“Ditë diskutimi për sfidat e 2019-ës sektor për sektor. Në fokus, rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendëse; përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike; masat e reja antikorrupsion dhe rekrutimi në administratë i të rinjve me 9-10”, shkruan Rama në “Tëitter”. Mbledhja ka nisur në orën 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të kompleksit ka pasur protesta nga Partia Demokratike.

Siç duket edhe nga fotot që vetë ka publikuar, Rama është në krah të zv.kryeministrit të ri Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa përballë ka kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçin, kryetarin e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Të gjithë ministrat e larguar nga Kryeministri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të 28 dhjetorit, ishin dje prezentë.

PRIORITETET

Takimi i djeshëm informal i Kryeministrit me ministrat e tij u zhvillua në një periudhë tranzitore, kur ministrat e larguar janë ende në detyrë dhe pse Presidenti Meta i ka dekretuar ata për shkarkim.

Kjo, për faktin se duhet që të mblidhet Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar shkarkimin e tyre dhe emërimin e ministrave të rinj. Në këtë situatë, për prioritetet e çdo ministrie dhe pse disa nga ministrat e rinj vijnë nga posti i zv.ministrit, kanë qenë ministrat e shkarkuar që kanë dosjet gati. Mësohet se gjatë takimit të djeshëm, kanë qenë ministrat ende në detyrë dhe pse të shkarkuar, që kanë folur për ministritë e tyre, për prioritetet dhe sfidat që ato kanë gjatë vitit 2019. Një detaj që është vënë re gjatë këtij raportimi, ka qenë fakti se kanë qenë ministrat e rinj që mbanin shënime për prioritetet e ministrive që ata do të drejtojnë brenda pak ditëve. 

Gjatë takimit të djeshëm mësohet se Kryeministri ka kërkuar nga zv.kryeministri Braçe, i dekretuar nga Presidenti Meta, që të fokusohet te procesi i transformimit të shërbimeve, në pastrimin e administratës nga njerëzit problematikë dhe të përfolur për korrupsion apo militantë partiakë.

Gjithashtu, Braçe sipas Kryeministrit, do të ndjekë hap pas hapi dhe zbatimin e programit për adresimin e 8 kërkesave të studentëve dhe të gjithë atyre elementëve të tjerë që do të jenë në dokumentin e Paktit për Universitetin, kryesisht për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat