"5 % taksë për 140 mijë dollarë xhiro"

Shqipëria

"5 % taksë për 140 mijë dollarë xhiro"

Më: 8 janar 2019 Në ora: 11:46
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama vizitoi një sipërmarrje të përpunimit të drurit dhe të arredimit në Kashar, e cila është krijuar dhe drejtohet nga një sipërmarrës, që punën dhe përvojën e 24 viteve në emigracion e ka investuar në këtë biznes.

Biznesi, i cili po konsolidohet nga viti në vit, duke rritur gradualisht edhe xhiron vjetore, do të përfitojë nga lehtësia më e fundit fiskale e qeverisë, tatimi mbi fitimin nga 15 në 5%, si rezultat i rritjes së pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë, të cilën sipërmarrësit e shohin si një mundësi për të zgjeruar aktivitetin dhe investuar në teknologji moderne.

“E kanë xhiron nën 80 milion lekë, por çdo vit që kur është kthyer nga Greqia kanë vetëm rritje në biznesin e tyre. Janë nga ato bizneset e reja, që kanë krijuar emigrantët e kthyer në Shqipëri, që kanë marrë me vete edhe gjithë aftësitë andej dhe çdo vit, ne kemi vëzhguar nga tatimet, sesi rritet xhiro”, u shpreh Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Kryeministri tha se me rritjen e xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë që përfiton nga tatimi mbi fitimin 5%, biznesi i vogël çlirohet nga informaliteti dhe deklarimet abuzive, të cilat bëheshin për të mos paguar detyrimin prej 15% të tatim-fitimit.

“Ky është dhe qëllimi. Këtë gjë ne do të kishim dashur ta bënim më përpara, por nuk i kemi patur mundësitë. Janë krijuar mundësitë për ta bërë dhe gjithë ideja kjo është, që atë që ndodhte në pragun 80 milionë, aty ku praktikisht ezaurohej vetëm me 5% taksën e fitimit dhe kalonte në 15%, – ta shmangim, sepse mblidheshin të gjithë aty dhe normalisht, edhe ju keni qëndruar aty poshtë për të mos e nxjerrë kokën sipër, që të merrnit trefish goditje fiskale.

Aty është një fashë e tërë që kishte hile, informalitet, gënjeshtra për të gënjyer njëri-tjetrin. Tani besoj që kjo çlirohet komplet, sepse deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit me 5 % taksë, nuk e ka asnjë vend i rajonit. Na intereson shumë punësimi, ngaqë ju do të rrisni investimin për t’u zgjeruar, sepse nuk do të keni më frikë që po të kaloj këtë, do më vijë trefish taksa. Na intereson shumë për këto lloj investimesh prodhuese që janë shumë pozitive për tregun vendas, por edhe për eksportet, sepse janë shumë nukle të tilla që kanë kapacitete profesionale për t’ju përgjigjur eksportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat