Ja kush ishin ekzekutimet e para me firmën e Enver Hoxhës - Bota Sot
Ja kush ishin ekzekutimet e para me firmën e Enver Hoxhës

Shqipëria

Ja kush ishin ekzekutimet e para me firmën e Enver Hoxhës

Më: 9 janar 2019 Në ora: 21:12
Enver Hoxha

Data 9.1.1945 shënon ekzekutimin e parë me vdekje me vendim gjykate për arsye politike në Shqipërinë komuniste.

Ky vendim kriminal u mor kundër një inxhinieri shqiptar dhe një italiani, pa bazë ligjore, por (me vonesë) vetëm të një rregulloreje ushtrie sepse ende komunistët nuk kishin miratuar ligjet e njohur ligjet ndëshkuese.

Personat e pushkatuar ishin:

-Ing.Niazi Mehmet Pilku, lindur më 1900 në Dibër.

-Leonardo Tomasso lindur më 1900 në Palermo, administrator i firmës ‘Italstrada’.

Duke lexuar dokumentacionin e gjetur, nuk krijohet asnjë bindje për pushkatimin e tyre. Nga një shkresë e datës 25.11.1944 kuptohet se ing.Pilku ishte drejtor i punimeve rehabilituese në rrugët e Shqipërisë, të cilat kryheshin nga firmat italiane.

Ai drejtonte punimet në rrugët Durrës-Kavajë-Rrogozhinë dhe Vorë-Milot, të cilat kryheshin nga shoqëria ‘Italstrada’ dhe ‘Marinuçi’. Pilku dhe Tomasso u kallëzuan nga ministri i Punëve Botore, Spiro Koleka.

Në thelb të dënimit ishte mosraportimi i saktë mbi firmën italiane ‘Italstrada’, si për mjetet apo për punëtorët, gjë që edhe sikur të ishte kështu, nuk përbën arsye për dënim me vdekje. Të dy u akuzuan ‘sabotatorë dhe antipatriotë’.

Procesverbali i marrjes në pyetje më 1.1.1945 i sipërmarrësit është i parregullt. Italiani i ardhur në Shqipëri në vitin 1939, nuk e pranoi akuzën. Edhe në deklarimin e ing.Pilkut të datës 31.12.1944 nuk ka asnjë pranim akuze. Me vendimin nr.1, datë 8.1.1945 Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë, vendosi dënimin me vdekje, pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore. Procesverbali i gjyqit është për faqe të zezë, një shkarravinë e vërtetë, i shkruar kot më kot.

Gjykata përbëhej nga këto persona: kolonel Hysni Kapo (kryetar), nënkolonel Beqir Balluku (nënkryetar), partizan Sotir Spiro (anëtar) dhe sekretari major Haki Toska. Prokuror ishte major Bako Dervishi, por emri i tij nuk shkruhej në procesverbalin kryesor.

Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që ishte në varësi të qeverisë me vendimin nr.1, datë 8.1.1945.

Gjykata përbëhej prej Gaqo Floqit, Frederik Nosit dhe Veledin Zenelit. Prokuror ishte Myftar Tare. Në këtë vendim u shtua si bazë ligjore neni nr.29 rregullores mbi funksionimin e gjykatave ushtarake e datës 20.12.1944. Ndërsa në komunikatën e prokurorit citohet ligji nr.21, datë 14.12.1944 (që nuk ndodhet në asnjë dispozitiv vendimi).

Enver Hoxha urdhëroi zbatimin e ekzekutimit. Të dy të dënuarit u ekzekutuan në Tiranë duke çelur kështu vitin e përgjakshëm 1945 me pushkatimet e para në bregun e lumit të kryeqytetit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...