Vështirësitë nga bora, heronjtë e FA shpëtojnë jetë njerëzish

Shqipëria

Vështirësitë nga bora, heronjtë e FA shpëtojnë jetë njerëzish

Më: 11 janar 2019 Në ora: 18:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

Forcat e Armatosura dhe njësitë e helikopterëve kanë shpëtuar jetën e disa personave ditën e premte, duke kryer një sërë ndërhyrjesh në zona të ndryshme të vendit të cilat kanë pasur vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve për shkak të reshjeve të borës.

Rasti më emergjent ka qenë ai i evakuimit të një 25-vjeçareje nga Peshkopia e cila është transportuar drejt Tiranës, pas disa komplikacioneve të shfaqura.

Pas lindjes, 25-vjeçarja Trendafile Demiri ka shfaqur komplikacione në zemër dhe u kërkua ndërhyrja nga ajri për transportimin e saj drejt urgjencës së Tiranës.

Nena e re u soll në spitalin “Nënë Tereza” nga efektivët e helikopterit EC-145 të Forcës Ajrore. Një helikopter Cougar i Forcës Ajrore me në bord personel mjekësor të Spitalit Ushtarak, ka transportuar po sot edhe një 58-vjeçare të sëmurë nga fshati Vuç-Kurtaj i Malësisë së Madhe për në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Njësia e transportit mjekësor me helikopter ka kryer edhe dy misione të tjera për transportimin e të sëmurëve, konkretisht në Burrel, ku u transportua një grua shtatzane dhe nga Saranda, ku u transportua një i moshuar me probleme të rënda në mushkëri për në QSUT. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat