Kushi: Grupe të caktuara po iu mohojnë studentëve të drejtën kushtetuese për t’u arsimuar

Shqipëria

Kushi: Grupe të caktuara po iu mohojnë studentëve të drejtën kushtetuese për t’u arsimuar

Më: 14 janar 2019 Në ora: 18:04
Evis Kushi

Deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi e ftuar në një studio televizive, tha se qeveria ka plotësuar kërkesat e studentëve e ka shkuar edhe më tej.

Por sipas deputetes, një grup i vogël studentësh po iu mohojnë të drejtën kushtetuese për t’u arsimuar, shumicës.

“Këto ditët e fundit protesta mori një tjetër rrjedhë. Kanë ndërhyrë disa individë jashtë universitetit, të cilët kanë interesa partiake, e kanë ndaluar zhvillimin normal të mësimit. Kjo është një pakicë që ka qëllime të caktuara për të ndaluar të drejtën kushtetuese për të zhvilluar mësim. Këto akte janë të patolerueshme. Më vjen mirë që Senati sot ka dalë me një deklaratë që është për t’u përshëndetur ku thuhet se mësimi duhet të zhvillohet për ata studentë të cilët kanë dëshirë të ndjekin mësimin”, tha ajo.

Sipas deputetes Kushi, rasti më domethënës se si qeveria iu është gjendur pranë studentëve, është platforma “Punë të mbarë”, ku do të punësohen 1 mijë studentë në administratën publike edhe pse kjo nuk ishte një kërkesë e studentëve.

“Kjo është pikë plus e pa kërkuar nga studentët. Qeveria i plotësoi kërkesat e studentëve dhe shtoi këtë nismë të re për të ndihmuar punësimin e të rinjve ekselentë në administratë”, tha ajo.

“Kjo platformë merr në konsideratë jo vetëm studentët ekselentë si jemi mësuar deri tani, pra jo vetëm ata që kanë mbaruar studimet me mesatare 10, por të gjithë ata studentë që kanë mbaruar studimet me mesatare nga 9 deri në 10. 803 vende janë në dispozicion të studentëve”, theksoi Kushi.

“Këto pozicione pune janë kryesisht në fushën e ekonomisë, juridikut, sociale, por ka pozicione të lira edhe në fushën e teknologjisë, të shkencave ekzakte, si fizika apo shkencat kompjuterike”, tha ajo.

Deputetja socialiste tha se “kjo nismë është pritur shumë mirë nga studentët, në vetëm pak ditë ka pasur rreth 100 aplikime duke marrë parasysh edhe faktin që ka qenë përpara fundjava”.

Evis Kushi zbuloi edhe kriteret që do të ndiqen për të përzgjedhur studentët. “Kriteret për të përzgjedhur do të jenë disa, si për shembull të parët do të pranohen studentët që kanë përfunduar studimet në vendet e Bashkimit Europian, më pas ata që kanë përfunduar studimet në fakultetet shtetërore e me pas ato private”.

“Qeveria është angazhuar që këto vendime të ndërmarra për paktin për universitetin, të aplikohen sa me shpejt. Siç e dini duke filluar nga e hëna në çdo fakultet shtetëror janë vendosur dy punonjës të ministrisë së financave dhe ministrisë së arsimit për të ndihmuar studentët që të përfitojnë nga ulja e tarifave por edhe të njihen me vendimet e tjera që janë ndërmarrë nga qeveria në muajin dhjetor”, tha ajo.

Deputetja e Komisionit të Ekonomisë Evis Kushi, nënvizoi se gjatë këtyre viteve është bërë një punë e madhe për punësimin në administratën publike.

“Unë mendoj se janë bërë hapa shumë të mira për sa i përket punësimeve në administratën publike, edhe nisma e fundit e qeverisë për të punësuar 1 mijë të rinj, është në këtë logjikë. Të gjithë e dinë që tani është pothuajse e pamundur të ndikohet nga dikush për tu punësuar në administratë, as nga partitë politike dhe as nga kush tjetër. Të gjithë ata që kanë aplikuar në administratë e dinë shumë mirë se sa hapa të mëdha janë bërë në këtë drejtim”, tha Kushi.

Deputetja socialiste theksoi se protesta e studentëve e ndihmoi qeverinë për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë.

“Kjo protestë është pozitive, sepse na shkundi për të reflektuar edhe më shumë. Por duhet theksuar se janë bërë hapa të mëdhenj deri tani, janë mbyllur universitete që jepnin diploma pa vlerë për tregun e punës, janë përmirësuar tekstet, por gjendja ku e gjetëm arsimin ishte e vështirë dhe nuk mund të zgjidhej menjëherë”, theksoi Kushi. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat