Rifillojnë reshjet e borës. Disa zona të vendit ende në darën e acarit

Shqipëria

Rifillojnë reshjet e borës. Disa zona të vendit ende në darën e acarit

Më: 14 janar 2019 Në ora: 18:46
Pamje nga video

Në veri dhe verilindje të vendit kanë rinisur reshjet e dëborës. Një i sëmurë që është transportuar për më shumë se dy orë nga Zall Dardha në krahë, nuk ka mundur të shpëtojë.

Në Qarkun e Dibrës në shkollat 9-vjeçare të qytetit dhe të njësive administrative nuk zhvillohet mësim.

Situata vazhdon të jetë problematike për më shumë se 60 fshatra, ku ende nuk janë hapur rrugët. Që prej 5 ditësh ato komunikojnë me qytetin apo me rrugët nacionale, vetëm me rrugë këmbësore. Kanë nisur të shfaqen problemet e para, pasi dyqanet janë boshatisur.

Disa blegtorë kanë kërkuar ndihmë për hapjen e rrugëve për shkak se nuk çojnë dot ushqimin për bagëtinë.

Edhe në shkollat 9-vjeçare të Bulqizës dhe të njësive administrative nuk zhvillohet mësim. Situata mbetet emergjente, pasi shumë fshatra mbeten të izoluar.

Reshje intensive dëbore kanë përfshirë edhe Qarkun e Elbasanit mëngjesin e së hënës. Aktualisht janë të bllokuara disa fshatra në Bashkinë e Librazhdit dhe të Prrenjasit. Kalohen me zinxhirë Labinoti Mal, Gurë i Zi dhe Shmil në Bashkinë e Elbasanit, gjithashtu edhe Poroçani dhe Lenia në Gramsh.

Në 8 shkolla të fshatrave të bllokuar në bashkitë Librazhd e Prrenjas nuk është zhvilluar mësim.

Reshjet e dëborës kanë rinisur në Qarkun e Lezhës, ndërsa shumë banorë po përballen me vështirësi. Sipas raporteve në Mirditë, fshatra të thellë të Kaçinarit, Selitës, Oroshit janë ende të bllokuar, edhe pse po punohet për hapjen e rrugëve.

Në Lezhë, fshati Ungrej është thuajse i izoluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat