Kazinotë nga Shqipëria shpërngulen në Maqedoni?

Shqipëria

Kazinotë nga Shqipëria shpërngulen në Maqedoni?

Më: 15 janar 2019 Në ora: 16:42
Ilustrim

Sipas informatave të televizionit Alsat, kompanitë TO-BAS dhe EFBET nga Shqipëria janë të interesuara të futen në tregun e Maqedonisë për organizimin e lojërave të fatit dhe bastoreve.

Përveç kësaj, ato janë të interesuara edhe të bashkëpunojnë edhe me bastoret që tashmë kanë licenca në Maqedoni dhe në këtë mënyrë ta zgjerojnë rrjetin e tyre. Interesi i tyre vjen dy javë pasi Shqipëria plotësisht i ndaloi bastoret sportive dhe lokalet për lojëra elektronike të fatit që ishin nëpër qytetet shqiptare.

Nga Ministria e Financave nuk japin përgjigje konkrete nëse nga fillimi i vitit në adresë të tyre kanë arritur kërkesa për licenca për organizimin e lojërave të fatit.

“Nuk mund të komentojmë për kërkesa që janë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Të gjitha licencat e lëshuara për organizimin e lojërave të fatit janë publikuar në faqen e internetit të Ministrisë. Kur t’i lëshohet ndonjë kompanie licencë, atëherë ajo do të bëhet publike”, theksuan nga  Ministria e Financave.

Megjithatë, njohësit e çështjeve për televizionin Alsat komentojnë se nëse ndonjëra nga bastoret e Shqipërisë dëshiron të hyjë në Maqedoni, këtë mund ta bëjë me blerje ose me bashkim me ndonjë organizues i lojërave të fatit në Maqedoni që posedon licencë për këtë.

Për këtë nuk nevojitet leje e re nga Ministria e Financave. Me propozim të një grupi të deputetëve në procedurë parlamentare gjenden ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Lojërat e Fatit me të cilat do të kufizohet hapja e vendeve të bixhozit 500 metra afër shkollave dhe çerdheve.

Nga Shoqata Antibixhoz javën e kaluar edhe njëherë urgjentisht kërkuan miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore, në të kundërtën do t’i radikalizojnë protestat. Përmes amendamentit është kërkuar në vend të 500 metrave, vendet e bixhozit të jenë tre kilometra larg qyteteve. Presin mbështetjen nga deputetët.

Kryeministri Zoran Zaev në fillim të vitit konfirmoi se situata me bixhozin në Maqedoni është alarmante dhe tha se Qeveria mendon të ndërmarrë masa për rregullimin e këtij sektori. Megjithatë, ai tha se nuk mendon të ndërmarrë masa radikale si në Shqipëri, pasi në këtë sektor në Maqedoni janë të punësuar mbi 6 mijë persona.

Nga fillimi i vitit Shqipëria i ndaloi bastoret, kazinotë dhe lokalet për lojëra automatike.  Vitin e kaluar Shoqatat e bastoreve paralajmëruan se pas ndalesës në Shqipëri, tani biznesin e tyre do ta bartin në vendet fqinje, para së gjithash në Maqedoni dhe Kosovë ku bixhozi është i lejuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat