Sejko: Flukset e investimeve të huaja, të drejtpërdrejta

Shqipëria

Sejko: Flukset e investimeve të huaja, të drejtpërdrejta

Më: 16 janar 2019 Në ora: 17:04
Gent Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha se “Shqipëria po përjeton një rimëkëmbje të qëndrueshme ciklike, me rritje të përshpejtuar gjatë tre viteve të fundit, duke e afruar ekonominë vendase drejt ekuilibrit”.

I pranishëm në Forumin për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore (EQL), një organizim i përvitshëm i “Euromoney” që u zhvillua 15-16 janar në Vjenë (Austri), Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare dhe u shpreh se, qëndrimi i politikës monetare të BQE-së ka një ndikim të fortë dhe të drejtpërdrejtë në ekonomitë dhe sistemet financiare të rajonit, si rezultat i afërsisë gjeografike të tregjeve, integrimit financiar, si dhe konvergjencës më të fortë ciklike.

Sejko tha se Shqipëria nuk do të ketë efekte të forta negative nga përfundimi i programit të lehtësimit monetar të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane. Sipas tij, flukset hyrëse të investimeve të huaja në Shqipëri kanë qenë të natyrës së drejtpërdrejtë, në prodhimin e energjisë dhe të burimeve natyrore, prandaj kjo nuk do të sillte një largim të kapitalit apo stres të borxhit.

“Qëndrimi aktual akomodues i politikës monetare në Eurozonë ka qenë në përputhje me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë”, theksoi Sejko.

Gjatë diskutimeve në Panelin e Guvernatorëvet, Sejko theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, në funksion të përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomike, të rritjes së mirëqenies shoqërore, si dhe të ankorimit sa më të mirë të perspektivave afatgjata të zhvillimit të vendit.

Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me personalitete të njohura ndërkombëtarë, me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare, bën të ditur njoftimi për shtyp i BSH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat