Basha: Duhet zgjidhje politike, vendi në emergjencë kombëtare

Shqipëria

Basha: Duhet zgjidhje politike, vendi në emergjencë kombëtare

Më: 16 janar 2019 Në ora: 18:22
Lulzim Basha

“Kërkojmë zgjidhje politike për të nxjerrë vendin nga kjo emergjencë kombëtare”,  tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Duke folur pas largimit nga seanca, Basha tha se opozita kërkoi sot në Kuvend debat por opozitës iu mbyll goja.

“Për herë të parë në 28 vite demokraci opozita kërkon debat parlamentar për t’u parashtruar qytetarëve shqiptarë qëndrimin e saj dhe të vërtetën pas këtyre emërimeve. Megjithëse opozita kishte parashtruar kërkesën për debat u pengua të marrë fjalën”, tha ai.

Sipas Bashës, situata në vend është në një emergjencë kombëtare.

“Jemi në gjendje të emergjencës kombëtare, faturën e kapjes totale  të qeverisjes, ku për herë të parë që në kohë të Enver Hoxhës kemi një kryeministër që mban dhe postin e ministrit të Jashtëm, njësoj si në kohën e Enverit. Na prezanton një kabinet pa një fije dinjiteti dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Faturën e paguajnë studentët që janë ngritur për kërkesat e tyre elementare, banorët e Astirit, të papunët shqiptarë, sipërmarrja që po shkon drejt falimentimit me mbylljen e 50 bizneseve në ditë. Faturën e paguajnë fëmijët shqiptarë, gazetarët dhe mediet e lira të cilët përballen me mbylljen e gojës me projektligjet diktatoriale. Faturën e paguajnë policët që detyrohen të trajtojnë si VIP kriminelët. Faturën e paguan gjithë Shqipëria. Kjo nuk mund të vazhdojë dhe duhet të marrë fund. Nuk mund të ketë më një shtet me një kryeministër fals që i dha dërrmën e fundit Kuvendit dhe u përpoq t’i mbyllë gojën opozitës”, tha ai.

Basha theksoi se “detyra jonë është të jemi në krah të njerëzve dhe të japim zgjidhjen politike”. “Ajo që ne do të bëjmë si opozitë është mobilizimi total i të gjithë resurseve opozitare për t’i dhënë fund dhe për të rrëzuar me çdo çmim dhe çdo mjet shkaktarin e kësaj emergjence kombëtare”, tha Basha.

Nga ana e saj, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi foli në një linjë me Bashën.

“Shumë shpejt do të mblidhemi dhe do të ketë një axhendë. Këtu nuk është çështje bojkoti këtu është çështje për të larguar atë që ka marrë peng shqiptarët. Opozita do të bashkohet për të zgjidhur situatën. Sot kemi një parlament të marrë peng, shumë shpejt do të njiheni me axhendën”, tha Kryemadhi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat