Lame, ironi me Metën: As zyra jote nuk ka hipotekë, si ta shpjegojmë hallin tënd?

Shqipëria

Lame, ironi me Metën: As zyra jote nuk ka hipotekë, si ta shpjegojmë hallin tënd?

Më: 17 janar 2019 Në ora: 12:02
Ilir Meta dhe Artan Lame

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka ironuar ditën e sotme Presidentin e Republikës pasi ky i fundit ktheu Ligjin për Kadastrën.

Përmes një Konference për shtyp, Lame tha se të gjitha zyrat ku ka shërbyer Ilir Meta janë të paregjistruara ende.

“Godina e Presidencës e ndërtuar që në vitin 1959 nuk ka certifikatë pronësie. As Kryesia e Kuvendit ku Ilir Meta ka shërbyer si kryetar nuk ka dokumente hipotekore. As Ministria e Jashtme, ku Meta dikur ka qenë ministër nuk është e regjistruar. Ca më parë akoma, Ilir Meta ka qenë Kryeministër, por as godina e Kryeministrisë nuk ka certifikatë. Këto janë disa nga pronat e këtij shteti që nuk janë regjistruar akoma” – tha Artan Lame.

Ai sigurio se asnjë nga kryeministrat që kanë drejtuar këtë vend nuk ia kanë idenë ta lexojnë regjistrin e pronave, shkruan JavaNews.al

“Nuk e kuptoj sesi Edi Rama kërkonte ta kapte Kadastrën kur as nuk i duhet dhe as nuk di ta lexojë regjistrin” – tha Lame.

Kreu i ALUIZNI-t u shpreh se pikërisht këto problematika kanë qenë në fokusin e punës që do të merrej Kadastra.

“Si t’ua shpjegojmë hallin e presidentit 60 mijë familjeve. Si t’ua shpjegojmë fermerëve që presin të regjistrojnë tokën?” – tha Lame.

Dy ditë më parë Ilir Meta ktheu ligjin për Kadastrën, që sipas kryeministrit do t’i jepte fund problemit të pronës dhe legalizimit duke shkrirë zyrat e hipotekës, legalizimeve dhe kthimit të pronave në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Presidenti ka dekretuar kthimin mbrapsht në Parlament të ligjit duke renditur edhe 5 arsyetimet për ta rishikuar atë.

Por sipas Lames, në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.

“Admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të kadastrës dhe të mos thotë asgjë. Kemi që dje që po përpiqemi të gjejmë një argument dhe nuk po ia dalim dot. Sot është 551-vjetori i vdekjes së Skënderbeut ndërkohë që mauzoleu në Lezhë është pa certifikatë pronësie” – u shpreh kreu i ALUIZNI-t.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat