Shqipëria emeton Eurobondin 7-vjeçar, me interesin më të ulët historik

Shqipëria

Shqipëria emeton Eurobondin 7-vjeçar, me interesin më të ulët historik

Më: 17 janar 2019 Në ora: 14:39
Ilustrim

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, informon publikun se, “Shqipëria emetoi me sukses vitin e kaluar një Eurobond 7 vjeçar me një interes historikisht të ulët prej 3,5%”.

Në një njoftim për shtyp ministria e Financave dhe Ekonomisë, bën të ditur se, suksesi Eurobondit u përshëndet nga shumë partnerë ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Bashkimi Europian që vlerësuan përmirësimin e profilit të borxhit në zgjatjen e maturitetit.

“Një pjesë e Eurobondit rreth 200 milionë euro u përdorën pikërisht për të ulur ri-pagesat e Eurobondit të vitit 2020 duke lehtësuar ndjeshëm financimin e Eurobondit të atij viti. Pjesa tjetër shkon për shlyerjen e kredive të huaja të viteve të kaluara pa rënduar tregun e brendshëm apo deficitin”, citon njoftimi i ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Sipas së cilës, në vijim të disa shkrimeve të ditëve të fundit mbi emetimin e suksesshëm të Eurobondit nga Shqipëria në vjeshtë 2018, thekson se, “Borxhi publik ra ndjeshëm në 2018 në 67% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe është në drejtimin e duhur për të arritur objektivin afatmesëm poshtë 60% të PBB”që ka ulur ndjeshëm rrezikun por dhe koston e shërbimit të borxhit”. 

Shqipëria përballoi me sukses një periudhë relativisht të vështirë financimi 2013-2015 pa rrezikuar asnjë pagesë të brendshme dhe të jashtme. Tani rreziqet financiare, falë dhe reformave strukturore (pensionet, energjia) janë ulur ndjeshëm duke rritur sigurinë e shlyerjes të çdo detyrimi publik edhe detyrimeve të huaja në kohë. Gjendja e likuiditetit të qeverisë që prej vitit 2016 ka qenë shumë e shëndetshme për të mos munguar asnjë pagesë të planifikuar në buxhet.

“Shqipëria qëndron në nivelin B1/B+ nga agjencitë e vlerësimit duke reflektuar karakteristikat e ekonomive në zhvillim. Si çdo ekonomi në zhvillim investimi në Shqipëri mund të mbarti rreziqet e kësaj fashe gjë që bëhet transparente ndaj investitorëve nga agjencitë e vlerësimit dhe në dokumente shoqëruese si prospektusi . Thënë kjo, investitorët përtej rreziqeve të klasifikimit të vendeve sipas zhvillimit të tyre, vendosin në bazë të besueshmërisë që ata krijojnë nga situata ekonomike dhe reformat e një vendi të caktuar. Dhe suksesi i Eurobondit të fundit edhe për nga kërkesa e lartë e investitorëve, tregon që Shqipëria ka fituar një besueshmëri të madhe në tregjet ndërkombëtare” citon njoftimi i dikasterit të Financave, ndërsa sqaron se, “T’u referohesh risqeve të përgjithshme të ekonomive në zhvillim në tërësi, për të përcaktuar rrezikun e Shqipërisë, është spekulim jo vetëm i gabuar, por edhe i dëmshëm për ekonominë e vendit dhe imazhin e saj. Për këtë mjafton të vërehet sa shumë ndryshon vlerësimi i investitorëve për vende në të njëjtën kategori”.

“Nga tregjet dhe investitorët Shqipëria vlerësohet një shkallë më lart se ajo e agjencive të vlerësimit që tregon dhe njëherë drejtimin e duhur të reformave dhe zhvillimit të ekonomisë”, deklaron ministria e Financave dhe Ekonomisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat