Meta: Shoqata “Tirana” kontribut në promovimin e trashëgimisë historike

Shqipëria

Meta: Shoqata “Tirana” kontribut në promovimin e trashëgimisë historike

Më: 19 janar 2019 Në ora: 18:24
Ilir Meta dhe Shyqyri Rreli

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim personalitete të shquara të shoqatës “Tirana”, Mjeshtrin e Madh të Sportit, Shyqyri Rreli, Prof. Ismail Demneri, Prof. Rruzhdi Keçi dhe Arben Tafaj.

Presidenti Meta duke shprehur konsideratat më të larta për komunitetin tiranas, vlerësoi rolin e kësaj shoqate në ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar e në veçanti për promovimin e traditave qytetare, vlerave historike dhe pasurisë së spikatur etnokulturore të kësaj treve.

“Vlerësoj lart përkushtimin, pasionin dhe punën e shkëlqyer që shoqata ‘Tirana’ ka kryer për promovimin e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore të kësaj treve. Këto përpjekje duhet të mbështeten më shumë në mënyrë që të forcojmë rrënjët tona dhe ndjenjat e atdhedashurisë. Të duam vendlindjen dhe të parët tanë, të ruajmë traditat dhe t’i pasurojmë ato, që të vazhdojmë të jemi krenarë për atë trashëgimi të vyer që na kanë lënë të parët, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të jenë krenarë në të ardhmen për përkatësinë e tyre si shqiptarë”, – theksoi Presidenti Meta.

Përfaqësuesit e shoqatës “Tirana”, pasi e njohën Kreun e Shtetit me aktivitetin e tyre kulturor e patriotik, e falënderuan për vëmendjen e treguar ndaj vlerave kombëtare. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat