“Stilet” e të burgosurve shqiptarë... si u kapën celularët e futur në tenxheren e fasuleve

Shqipëria

“Stilet” e të burgosurve shqiptarë... si u kapën celularët e futur në tenxheren e fasuleve

Më: 20 janar 2019 Në ora: 19:33
Tenxherja e aluminit ka qenë në dy pjesë

Kishin fshehur telefona në tenxheren me fasule, skaneri u zbulon planin për t’i futur në burgun e Shën Kollit në Lezhë.

Telefonat ishin fshehur në tenxhere me gjellë, destinuar për të burgosurit, ndërsa në fundin e dyfishtë ishin fshehur telefonat së bashku me aksesorët e tyre.

Pavarësisht këtij zbulimi, ende nuk ka asnjë person të hetim. Drejtoria e Burgjeve tregohet e rezervuar për të burgosurin që do merrte tenxheren me gjellë dhe familjarët që ia kishin dërguar, ndërsa vazhdon hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë. Kontrollorët e Policisë së Burgjeve kanë zbuluar me ndihmën e skanerit modifikimin e tenxhereve dhe pas kontrollit të imtësishëm janë gjetur tre celularët së bashku me karikuesin dhe fishat.

Tenxherja e aluminit ka qenë në dy pjesë, një në të cilën ishte vendosur gjella dhe një e përdorur si kapak ku ishin fshehur telefonat të mbështjellë po me letër alumin. Materialet e çështjes i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Lezhë për të vijuar hetimin e kësaj çështjeje dhe zbulimin e autorëve të saj. Prej fillimvitit 2019 janë zbuluar 15 tentativa për futje celularësh.

Përdorimi i telefonave në burgje është i ndaluar, ndërsa modifikimi i tenxheres me gjellë ishte një rast i veçantë, zbuluar këtë herë në Burgun e Lezhës. Rasti më i fundit në Burgun e Lezhës i përket disa muajve më parë, ku në një top futbolli të hedhur nga jashtë në oborrin e burgut në zonën e ajrimit u gjetën dhe sekuestruan tre celularë. Burgu i Lezhës është burg i sigurisë së lartë, ndërsa aty qëndrojnë edhe persona të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Në shtator të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, shkarkoi nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, ndërkohë që në vend të tij u emërua Stefan Çipa. Në vendim thuhet se motivacioni është përmirësimi i punës në sistemin e burgjeve dhe rritjen e sigurisë e kontrollit në këtë institucion.

Çuko u arrestua disa ditë pas shkarkimit, i akuzuar se kishte marrë 3 mijë euro për transferimin e një të dënuari. Ndërkohë në tetor, Ministria e Drejtësisë shkarkoi nga detyra drejtorin e Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, për mospërmbushje të detyrave funksionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat