Dënimi për shpifje i Bashës, zbardhet vendimi i gjyqtarit: Deklarata me qëllim denigrues!

Shqipëria

Dënimi për shpifje i Bashës, zbardhet vendimi i gjyqtarit: Deklarata me qëllim denigrues!

Më: 22 janar 2019 Në ora: 17:01
Lulzim Basha

“Deklaratat e bëra nga zoti Lulzim Basha kanë qartësisht natyrë shpifëse”, argumenton gjyqtari Gerd Hoxha, në vendimin që dënoi kreun e Partisë Demokratike me 50 mijë lekë, për akuzën e “Shpifjes”, kryer botërisht.

Në korrikun e vitit të shkuar, Taulant Balla paditi në Gjykatë Bashën, pas deklaratave publike se Balla ishte garantuesi që 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit do të futeshin në Shqipëri. Sipas kreut të PD-së, kjo shumë monetare ishte e krijuar nga aktiviteti kriminal dhe u përkiste grupeve kriminale. I pranishëm gjatë shpalljes së vendimit ishte edhe vetë deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa në fund e konsideroi vendimin si historik.

Në vendimin e zbardhur, gjyqtari Hoxha thotë se në fund të shqyrtimit gjyqësor gjykata çmon se deklarimet e bëra nga ana e Bashës janë shpërdorim i lirisë së shprehjes dhe janë bërë me qëllim denigrues. “Gjykata çmon se përhapja e këtyre deklarimeve nga ana e të akuzuarit Z. Lulzim Basha, përderisa nuk ka qëllim informues, është shpërdorim i lirisë së shprehjes që mbrohet nga nenet 22, 23 e 73 të Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ, si dhe janë bërë me qëllim për të denigruar e njollosur nderin, reputacionin dhe vlerësimin që ka opinioni shoqëror publik vendës dhe i huaj për viktimën akuzues, z.Taulant Balla”, shkruhet në vendim.

Më tej, gjyqtari Gerd Hoxha thotë se mbrojtja e Bashës duhet të provonte pretendimet e ngritura, ndërsa shton se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se provat e paraqitura nuk krijojnë asnjë besueshmëri. “I akuzuari Z. Lulzim Basha do të duhet të provonte në gjykim se pretendimet e tij ‘…mbështeteshin në një bazë faktike mjaftueshmërisht të saktë dhe të besueshme, në përpjesëtim kjo me natyrën dhe shkallën e pretendimit … me kusht që sa më serioz të ishte pretendimi, aq më solide duhej të ishte baza faktike’.

Ndërkohë që provat e paraqitura në gjykim nga i akuzuari z.Lulzim Basha, nuk krijojnë asnjë bazë besueshmërie në lidhje me saktësinë apo vërtetësinë e pretendimeve, konkretisht të njohjes së të dëmtuarit akuzues, z.Taulant Balla, me shtetasit e arrestuar të përmendur në deklaratën e Policisë së Shtetit”, argumentohet në vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat