Balla: PD të marrë përgjegjësitë që i takojnë për miratimin e reformës zgjedhore

Shqipëria

Balla: PD të marrë përgjegjësitë që i takojnë për miratimin e reformës zgjedhore

Më: 23 janar 2019 Në ora: 12:00
Taulant Balla

“Për herë të parë në 27 vite, maxhoranca i dha mundësi opozitës që të jetë kjo e fundit që të shkruaj ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe maxhoranca të ofrojë numrat që ka në Kuvendin e Shqipërisë për ta miratuar atë”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili i bëri apel Partisë Demokratike që të marrë përgjegjësitë që i takojnë për miratimin e  paketës së reformës zgjedhore, që është më e mira në 27 vite.

Është rasti, tha Balla, që partitë politike të heqin dorë nga administrimi i procesit zgjedhor dhe që të jetë një trupë tërësisht e pavarur në nivelin e parë dhe të dytë që të administrojë procesin zgjedhor.

“Është rasti që të eksplorojmë për herë të parë teknologjinë në zgjedhje në reflektim edhe të një kërkese të kahershme të PD-së kur në shkurt 2017 hyri në bojkot të Kuvendit, në një protestë 90-ditore që kishte të bënte me testimin e teknologjisë së zgjedhjeve”, tha Balla.

Po ashtu sipas tij, “u jepet mundësia grave të Shqipërisë që të jenë të përfaqësuara në një nivel sa më të lartë në këshillat bashkiakë dhe partive politike, kur bie fjala për zgjedhjet parlamentare, të mos mjaftohen me pagesën e gjobave në KQZ, por të rrisin sa më shumë barazinë gjinore në Kuvendin e Shqipërisë”.

Sot, tha Balla, ne kemi në Kuvendin e Shqipërisë të depozituar një draft të shkëlqyer që garanton standarde të larta zgjedhore në Shqipëri, në refleksion të plotë të gjitha rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it në 3 zgjedhjet e fundit, por duhet vullnet politik mes palëve.

“PD duhet një orë e më parë të vijë në Kuvendin e Shqipërisë. Seanca më e parë është në 30 janar. Ne kemi zgjatur mandatin e reformës zgjedhore vetëm me 30 ditë që të mos humbim kohë. Zgjedhjet e 30 qershorit po vijnë dhe janë shumë të rëndësishme për gjendjen e problematikave komunitare në çdo cep”, tha Balla.

Po ashtu, ai i bëri thirrje PD-së që të paraqesë në Kuvend 2 kandidaturat për anëtarë të KQZ-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat