Balla: Rama do të bllokojë çdo lloj ndërtimi që dëmton kanionet e Holtës

Shqipëria

Balla: Rama do të bllokojë çdo lloj ndërtimi që dëmton kanionet e Holtës

Më: 23 janar 2019 Në ora: 12:31
Holtë

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla reagon ndaj rrezikut të dëmtimit të kanioneve të mbrojtura të Holtës.

Leja e ndërtimit të hidrocentralit të Strorit në përroin e Holtës dhe Seltës ka sjellë dhe përplasjen e radhës politike por dhe shqetësimin e banorëve të zonës dhe të ambientalistëve.

Taulant Balla: "Së bashku me 6 deputetët e PS-së së qarkut Elbasan kemi ndërmarrë të gjitha procedurat parlamentare që i takojnë deputetëve për të kërkuar informacion dhe unë kam shumë besim se kërkesa jonë në ditët në vijim nesër, pasnesër do të merret në shqyrtim së bashku me sensibilitetin dhe të jeni të sigurtë që kryeministri Rama dhe ministrja Balluku do të marrë të gjitha vendimet për të pezulluar dhe bllokuar çdo lloj ndërtimi që prish dëmton një aset të rëndësishëm natyror por dhe atraksion turistik për një bashki si ajo e Gramshit"

Nga PD e Gramshit akuzohet se lejen për këtë ndërtim e ka dhënë qeveria Rama. Madje për këtë është publikuar dhe dokumenti që mbanë datën 27 prill i vitit 2018.

Në shkresë miratohen procedurat për heqjen e zonës së ndërtimit nga fondi pyjor si dhe pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila kalon në buxhetin e bashkisë së Gramshit. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me ministrinë e Energjisë. Të dhënat janë publikuar dhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ku veç firmës së Ramës është dhe ajo e ish-ministrit Gjiknuri.

Ambientalistët kanë publikuar dhe foto duke u shprehur se tashmë është ndaluar dhe kalimi I turistëve në të. Në reagim, mbrojtësit e ambientit shprehen se rrezikohet të cënohet monumenti I kulturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat