Leje në zonë muzeale? Hetime për pallatin te Presidenca

Shqipëria

Leje në zonë muzeale? Hetime për pallatin te Presidenca

Më: 23 janar 2019 Në ora: 20:11
Pamje nga video

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet nën akuzën për “shpërdorim detyre”, në lidhje me dhënien e lejes së ndërtimit në mënyrë të paligjshme për një ndërtim prapa godinës së Presidencës.

Kallëzimi penal ishte bërë në dhjetor ndaj KRRTRSH-së. Një denoncim publik për këtë çështje bëri në muajin mars të vitit 2018 edhe Top Channel, që publikoi faktin se, përveç cënimit të sigurisë kombëtare, toka ku do të ndërtohej pallati ka probleme të rënda pronësie dhe gëzon status të veçantë ligjor, që ndalon ndërtimin.

Prona është në proces gjyqësor. Ajo është privatizuar me njohje dhe kthim në vitin 1995 te dy pronarë, e më pas është shitur disa herë. Janë 25 familje që pretendojnë se vendimi i kthimit ka qenë i manipuluar, duke hapur gjyq ndaj pronarëve që e morën në vitin 1995 dhe atyre që e kanë blerë më vonë.

Çështja është në Gjykatën e Lartë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar. Por, edhe pse çështja është në gjykim, Bashkia ka dhënë autorizimin për ndërtim, ndërkohë që qeveria ka miratuar lejen zhvillimore dhe banorët e zonës kundërshtojnë projektin.

Përtej problemeve të rënda me pronësinë, toka gëzon status të veçantë mbrojtjeje, sepse është monument kulture. Urdhri ka dalë në mars të vitit 2007, nga ministri i asaj kohe, Bujar Leskaj. Veç problemeve me pronësinë dhe shkeljes së ligjit për trashëgiminë kulturore, ngritja e pallatit te Presidenca ka alarmuar edhe Bankën e Shqipërisë, për shkak se cënon sigurinë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat