‘Shkrihet’ Hipoteka e Durrësit, Gjonaj emëron drejtorin e ri

Shqipëria

‘Shkrihet’ Hipoteka e Durrësit, Gjonaj emëron drejtorin e ri

Më: 25 janar 2019 Në ora: 12:43
Etilda Gjonaj

Fillimisht e bëri të ditur kryeministri Rama, madje e quajti “halabak” publikisht, e më pas vulën për të shkarkuar drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Ardjan Iljazaj e vuri ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Pa u tharë boja mbi vendimin e shkarkimit vendi i lënë bosh do të zëvendësohet.

Bëhet me dije se vetë ministrja Gjonaj ka udhëtuar sot drejt Durrësit për të prezantuar drejtorin e ri të komanduar. “BalkanWeb” mëson se drejtori i ri i komanduar do të jetë Florjan Alimadhi. Mësohet gjithashtu se bashkë me ministren është nisur një ekip prej 12 punonjësish nga Tirana që do të zëvendësojnë punonjësit e larguar nga puna.

Në ZRPP Durrës ka shkuar edhe një ekip prej 5 inspektoresh që do të kontrollojnë të gjithë veprimtarinë e deritanishme të kësaj zyre.

Pak ditë më parë kryeministri Rama e quajti “halabak” drejtorin e Hipotekës së Durrësit që bëri “ping-pong” me një qytetar për më shumë se 6 vite. Në takimin me koordinatorët, Rama se drejtori është i shkarkuar dhe se vendimi do të komunikohej nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Rasti u denoncua në emisionin Fiks Fare, ishte ngritur si shqetësim nga qytetari Albert Doda nga Durrësi, që ishte paraqitur më shumë se 300 herë në zyrat e Hipotekës në Durrës për 6 vite. Doda i ishte drejtuar më herët platformës së Bashkëqeverisjes, e cila pasi kishte gjetur shkeljet ligjore, kishte shkarkuar një punonjës.

Por megjithë masën e marrë, drejtori i Hipotekës Durrës, Ardjan Iljazaj, i kishte thënë sërish qytetarit: Meqënëse problemin e zgjidhe tek Rama, shko sërish tek Rama. Qytetari kërkonte të regjistronte pronën e tij në Hipotekë dhe të merrte dokumentacionin e rregulltë, por zyrat e Hipotekës i kishin hequr metra nga banesa dhe i kishin shtuar tek toka arë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat