Tjetër ndryshim në qeverinë Rama

Shqipëria

Tjetër ndryshim në qeverinë Rama

Më: 25 janar 2019 Në ora: 15:50
Edi Rama

Pas shkarkimit të 7 ministrave dhe zëvendëskryeministres, Senida Mesi, kreu i qeverisë ka vijuar ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Pasi largoi nga detyra, Damian Gjiknurin, më datë 23 janar, kryeministri Edi Rama ka firmosur shkarkimin nga detyra edhe të zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko.

Vendimi nuk është publikuar në faqen e Kryeministrisë, por ky vendim është bërë publik pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.

Edi Rama ka vendosur të rikthej në detyrën e zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ish-deputetin e Elbasanit, Ilir Bejtja.Ky i fundit ishte drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës, kur ajo drejtohej nga Damian Gjiknuri.
Nuk dihen arsyet e shkarkimi nga ky funksion i zëvendësministrat, Enis Aliko, i cili me profesion është inxhinier i naftës.

Por prej disa ditësh, ministrja e re, Belinda Balluku po “pastron” disa krerë të drejtërive të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikes, të cilët ishin të përfshirë në tenderat e firmës “DH Albania”.

Kush është ish- zv.ministri i shkarkuar:

Enis Aliko lindi më 28 Maj 1962 në qytetin e Tiranës, ku edhe banon. Ai filloi studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1981 në degën Inxhinieri Mekanike. Pas mbarimit të vitit të dytë me rezultate të shkëlqyera, përfitoi një bursë studimi për inxhinieri nafte në Algjeri. Ai u diplomua në vitin 1988 në Institutin Algjerian të Naftës dhe zotëron gradën Master në Inxhinieri Shpim-Kërkimi Nafte. Pas kthimit në Shqipëri filloi punën si Asistent Pedagog në Universitetin e Tiranës, në katedrën e Shpimit të Puseve. Në vitin 1993 ai kaloi në Agjensinë Kombëtare të Hidrokarbureve (sot AKBN) si Specialist Shpimi dhe anëtar i Bordit.
Më pas, në vitin 1995, Z. Aliko filloi punë, si inxhinier distrikti, në një kompani shumëkombëshe nafte. Deri i në vitin 2015 ai mbajti pozicione të ndryshme në këtë kompani, nga manaxher i inxhinierisë deri në drejtor gjeomarketi, duke qenë përgjegjës për Evropën, Afrikën dhe vendet e detit Kaspik.
Nga viti 2015, ai është angazhuar në Shqipëri si Manaxher i Projektit të Master Planit të Gazit Natyror, i cili hedh bazat për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror në Shqipëri. Gjatë aktivitetit të tij profesional ai ka kryer një sërë kursesh të ndryshme profesionale në SHBA dhe BE, nga kurse specializimi në fushën e naftës, në kurse negocimi, kontratash, finance, legale, manaxhimi, etj. Z. Aliko ka kontribuar në zhvillimin e industrisë së naftës me mbi 15 artikuj shkencorë, të cilët i ka prezantuar në konferenca ndërkombëtare ose të botuar në revista profesionale, si dhe me pjesëmarrjen e tij në zhvillimin e një sërë teknologjish të reja në fushën e shpim-kërkimit. Përveç kësaj, ai është edhe autor i disa patentave ndërkombëtare në fushën e naftës.
Aliko është anëtar i vjetër i Shoqatës Ndërkombëtare të Inxhinierëve të Naftës (SPE) dhe prej vitit 2015, është edhe anëtar i komisionit të çmimeve të nderit të kësaj Shoqate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat