PD, Strazimiri: Prokurori që kaloi Vetting-un, bashkëpunëtor i sigurimit që në gjimnaz

Shqipëria

PD, Strazimiri: Prokurori që kaloi Vetting-un, bashkëpunëtor i sigurimit që në gjimnaz

Më: 26 janar 2019 Në ora: 12:33
Gent Strazimiri

Partia Demokratike reagoi pas emërimit të prokurorit Bujar Sheshi anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Gent Strazimiri denoncoi të shtunën të shkuarën e tij si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Vetting-u ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë Edi Ramës. Përse për sigurimsin që në shkollë të mesme Bujar Sheshi, vija e kuqe e ligjit nuk ka funksionuar? Si ka mundësi që ai aplikoi dhe kaloi Vetting-un me shpejtësi, pa u bërë verifikimi i figurës, siç e kërkon ligji?”, tha deputeti demokrat.

DEKLARATA E STRAZIMIRIT

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ndodhur ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar shumë kohë më parë: vetingu ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll organet e reja të drejtësisë.

Prova më flagrante është emërimi si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i prokurorit të Krimeve të Rënda Bujar Sheshi.

Dokumentat zyrtarë tregojnë se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë fakt procedura e emërimit të tij duhet të ishte ndërprerë menjëherë.
Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë.

Më konkretisht, kushti pengues ligjor parashikohet nga neni 105, ku thuhet se:

“Kandidatët duhet të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.”

Por përse për sigurimsin që në shkollë të mesme Bujar Sheshi, vija e kuqe e ligjit nuk ka funksionuar?

Si ka mundësi që ai aplikoi dhe kaloi vetingun me shpejtësi, pa u bërë verifikimi i figurës, siç e kërkon ligji?

Ka një përgjigje fare të thjeshtë per këto pyetje që me të drejtë mund t’i bëjë kushdo, që ka besuar tek reforma në drejtësi.

Bujar Sheshi nuk duhet të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Arta Marku e kualifikoi atë në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që qeveria dhe ajo vetë, ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë e ngarkon Arta Markun me përgjegjësi direkte, pasi në nenin 279 percaktohet se “Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarë te KLP-së”.

Të vetmen detyrë që i ngarkon ligji në raport me krijimin e KLP-së, Prokurorja e Paligjshme e Edi Ramës nuk e ka kryer. Ajo nuk ka pritur përgjigje nga Autoriteti i Dosjeve, por e ka çuar aplikimin e paplotë pranë organeve të vetingut.

Edhe këta, besnikë të partisë, kanë mbyllur njërin sy për të mos parë që kandidatit të vetëm, në dorë të të cilit kishte ngelur ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Ka edhe një pyetje tjetër për t’i dhenë përgjigje në këtë lojë të pistë për kapjen e sistemit të drejtesisë?

Përse Autoriteti i Dosjeve e publikoi 3 muaj me vonesë gjetjen e papërshtatshmërisë absolute të Bujar Sheshit, si drejtues i asaj që quhet “drejtësia e re”?
Ku “gaboi” shoku Bujar Sheshi, që Partia ta dënonte me dekonspirim dhe…”zbatim të ligjit”?

Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, për të sqaruar hijen e turpit që qëndron mbi konstituimin e organeve të “drejtësisë popullore e socialiste”, në të cilën e nën të cilën ligji zbatohet vetëm si dënim për mosbesnikëri ndaj PARTISË.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat