Vrasje për lidhje dashurie, policia arreston vëllain e vajzës dhe bashkëpunëtorët

Shqipëria

Vrasje për lidhje dashurie, policia arreston vëllain e vajzës dhe bashkëpunëtorët

Më: 27 janar 2019 Në ora: 06:29
Fshati Bastar i Mesëm

Fshati Bastar i Mesëm, i ndodhur në një zonë të thellë malore të Qarkut të Tiranës, është troditur këto ditë nga një vrasje, ajo ndaj 34-vjeçarit baba i 3 fëmijëve, Arben Gjeci. Kjo ngjarje ka tronditur banorët, të cilët shprehen se ngjarje të tilla ka vite që nuk ndodhin.

Nga hetimet dyshohet se, shkak i vrasjes mund të jetë një histori dashurie jashtë martese.

Për këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga 3 persona, mes të cilëve edhe 20-vjeçaren, me të cilën viktima dyshohet se kishte një raport jashtë martese.

Dy të arrestuarit e tjerë janë vëllai i vajzës, Esat Cani, dhe bashkëshorti Dajet Kurti, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në këtë vrasje.

E raportuar fillimisht si një ngjarje aksidentale, policia mundi të zbardhë se kemi të bëjmë me një vrasje, pasi trupi i viktimës u gjet në afërsi të banesës së familjes Cani, që ndodhet mbi fshatin Bastar i Mesëm.

E sipas policisë, arsyeja se përse i ndjeri ndodhej në atë zonë ishte pikërisht raporti që kishte me 20-vjeçaren. Mbërritja në këtë fshat ishte një sfidë më vete, pasi rruga kalonte nëpërmjet një shtrati lumi dhe mund të kalohej vetëm nga mjete të larta. Për banorët e zonës, ngjarja ishte tronditëse.

“Viktima ishte shofer, punonte me një furgon, i çonte njerëzit në Tufine dhe i sillte në fshat. Ishte njeri shumë i mirë. Po ashtu edhe familjet e tjera janë familje shumë të mira. Nuk e dimë sesi ndodhën këto gjëra, jemi të tronditur dhe nuk dimë çfarë të themi”, tha një banor i zonës.

34-vjeçari u përcoll mesditën e së shtunës për në banesën e fundit, ndërsa policia po vijon hetimet për të përcaktuar rolin e secilit prej 3 të ndaluarve në këtë krim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat