Reforma Zgjedhore, Zguri: Ndryshimet të bëhen sa më shpejt

Shqipëria

Reforma Zgjedhore, Zguri: Ndryshimet të bëhen sa më shpejt

Më: 28 janar 2019 Në ora: 11:59
Klement Zguri

"Nëse ligjvënësi do të ketë arsye për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, KQZ do të bëjë maksimumin e vet për të bërë të mundur që këto ndryshime të bëhen dhe të shkojnë në funksion të zhvillimit”, deklaroi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.

Duke folur para medieve për ndryshimet zgjedhore, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri u shpreh se nëse do të ketë ndryshime koha është një element i rëndësishëm, përkthyer kjo se ndryshimet nuk janë vetëm një element në Kodin Zgjedhor, por pas kësaj vijnë të gjitha masat që duhet të marrë komisioni për të përgatitur zgjedhjet. “Kam parasysh nxjerrjen e akteve rregullatore, nxjerrjen e akteve nënligjore, gjetjen e burimeve financiare, gjetjen e burimeve njerëzore. Pra, janë një sërë elementesh të cilët e bëjnë të domosdoshëm një kohë të mjaftueshme në dispozicion të institucionit”, tha ai.

“Shpresoj që palët të merren vesh të gjejnë arsye dhe i gjithë procesi i zgjedhjeve të shkojë korrekt, ashtu siç kërkohet”, tha ai.

I pyetur për votimin elektronik, Zguri tha se nuk është ekspert për të dhënë një mendim. “Koha është shumë e rëndësishme, pasi kërkohen akte dhe procedura që e vështirësojnë procesin”, përsëriti ai.

Për sa i përket depolitizimit të administratës zgjedhore, Zguri tha se është një kërkesë e vazhdueshme pasi në administrimin e zgjedhjeve hasen vështirësi, pasi komisionerët shfaqin sjellje të ndryshme.

“Një hap i parë dhe i sigurt duhet të jetë në drejtim të depolitizimit, pra profesionalizmi i administratës zgjedhore dhe kjo kërkon një qendër trajnimi në dispozicion të KQZ-së”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat