Moti i keq në Durrës, pezullohet veprimtaria në port

Shqipëria

Moti i keq në Durrës, pezullohet veprimtaria në port

Më: 28 janar 2019 Në ora: 16:12
Foto Ilustrim

Në portin e Durrësit është pezulluar veprimtaria përpunuese dhe lundruese, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike qytetin bregdetar.

Përpunimi i anijeve tregtare u pezullua pas drekës, për shkak të reshjeve të shiut dhe shpejtësisë në rritje të erës.

Ekuipazhet e anijeve dhe punonjësit e brigadave operative në Portin detar të Durrësit kanë punuar edhe paraditen e kësaj të hëne për sigurimin e mjeteve lundruese dhe elektrovinçave në kalatë, pas njoftimit për prishjen e kushteve të motit dhe parashikimit meteorologjik të rritjes graduale të shpejtësisë së erës.

Të hënën, siç edhe pati njoftuar DPD-ja që kërkoi marrjen e masave nga të gjithë operatorët detarë dhe portualë, bregdeti shqiptar u përfshi nga erëra me shpejtësi deri në 20 metra në sekondë, nga drejtimi jug-jugperëndim dhe forca e detit shkoi në 7-8 e shkallës “Boufort”.

Anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimet, ndërsa elektrovinçat dhe vinçat me goma në terminalet e mallrave të përgjithshme dhe kontenierëve janë vënë në kushte sigurie, deri në përmirësimin e motit. Mëngjesin e së hënës, tragetet e linjës së Barit nuk kanë pasur vonesa në mbërritje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat