Kukës/ Prokuroria heton drejtues të policisë për lirimin e të dënuarit për trafik droge

Shqipëria

Kukës/ Prokuroria heton drejtues të policisë për lirimin e të dënuarit për trafik droge

Më: 28 janar 2019 Në ora: 20:00
Ilustrim

Prokuroria e Kukësit thotë se ka  një çeshtje penale të hapur që prej tetorit ndaj zyrtarëve të policisë së Kukësit  që liruan Naser Gashin, një i dënuar me 7.4 vjet burg për trafik narkotikësh.

Prokuroria e Kukësit ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve të policisë së Kukësit lidhur me lirimin e Naser Gashit nga Kosova i cili rezulton i dënuar me 7.4 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik droge.

Njoftimi për hetimet u bë pas publikimit të një shkrimi në gazetën shqiptarja.com dhe report.tv, i cili denoncoi lirimin e Gashit në tetor 2018. Gashi ishte arrestuar nga policia pas dyshimeve se udhëtonte me pasaportë të falsifikuar, por gjatë verifikimit të shenjave të gishtave rezultoi person i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 7.4 vjet burg.

Megjithatë pak ditë pasi ishte arrestuar dhe referuar në prokurori për veprëm e falsifikimit të dokumenteve, prokurorja Rita Gjati e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin dhe ka vendosur lirimin e tij të menjëhershëm. Vendimi i prokurores është bërë bazuar mbi akuzën për “falsifikim dokumentesh”, por ndërkohë sipas dokumenteve të publikuara edhe prokuroria edhe policia e kishin të qartë se i ndaluari ishte i dënuar për trafik narkotikësh.

Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp bëri me dije se vendimi për lirim i firmosur nga prokurorja Gjati nuk kishte të bënte me dënimin për drogë, por ishte dhënë vetëm për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, duke ia lënë kështu fajin policisë.

Skandali u denoncua nga Zv/drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit Shkëlqim Pepkola i cili është pezulluar nga detyra, ndërsa pretendon se kjo erdhi pasi hetimit të tij për shkelje të bëra nga vartësit në këtë rast.

Prokuroria e Kukësit bëri me dije për BIRN se  kishte ndërkohë “dy procese penale paralele të hapura që në muajin tetor të vitit kaluar. Njëra ka të bëjë me falsifikim të dokumentave zyrtare në ngarkim të Naser Gashit nga Kosova, ndërsa tjetra çeshtje penale është hapur në ngarkim të një numri zyrtarëve të policisë së Kukësit nën akuzën “Shperdorim detyre”.

BIRN nuk arriti të kontaktonte prokuroren Rita Gjati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat