Kush mund të përfitojë bursë studentore (Kriteret)

Shqipëria

Kush mund të përfitojë bursë studentore (Kriteret)

Më: 30 janar 2019 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Vendimi i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave nga fondi i mbështetjes studentore ka pësuar ndryshime.

Kështu, referuar vendimit të ndryshuar të botuar në ‘Fletoren Zyrtare’, përfitojnë bursë nga fondi i mbështetjes studentore studentët e pranuar në programet e studimeve profesionale, programet e integruara të studimeve si dhe studentët e shtresave sociale në nevojë, që plotësojnë një sërë kriteresh. Një prej tyre është mesatarja, ku sipas vendimit nota mesatare vjetore duhet të jetë 9 deri në 10 nga arsimi i mesëm, që i përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve:

a)mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë

b) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore

Ndërkohë, lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ndërkohë, studentët gjithashtu duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik , për të cilin përllogaritet nota mesatare vjetore e ponderuar.

Ndërkohë, për vitin akademik 2018-2019, të gjithë studentët e regjistruar në një nga programet e përmendura më sipër, që plotësojnë kriteret e këtij vendimi dhe nuk kanë përfituar bursë të plotë sipas tij, me vendim të njësive të qeverisjes vendore apo me vendim të bordit të administrimit të IAL-ve publike, duhet të plotësojnë formularin e kërkesës dhe dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar bursë brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pas kësaj, IAL-të publike kryejnë verifikimin brenda 7 ditëve dhe dërgojnë për shqyrtim dhe miratim kërkesat në bordin e administrimit, i cili miraton bursat për studentët brenda 5 ditëve. Bursat miratohen dhe jepen brenda muajit janar dhe në vijim sipas vendimit.

Ndërkohë, sa i takon studentëve në nevojë, të tillë sipas vendimit konsiderohen:

a) studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike;

b) bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare;

c) studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar;

ç) studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar;

d) studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton;

dh) studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më

shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë;

e) studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;

ë) studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë,

deri në moshën 25 vjeç;

f) studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç;

g) studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës

Brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës dhe dokumentacionit të nevojshëm, njësitë kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë kryejnë verifikimin e nevojshëm të tyre dhe më pas bëjnë dërgimin e tyre për shqyrtim dhe miratim në bordin e administrimit të institucionit publik të arsimit të lartë. Ky i fundit, shqyrton dhe merr vendimin për bursat brenda një afati 30 ditor nisur nga data e paraqitjes së kërkesës. Bursa iu jepet më pas studentëve përfitues çdo muaj përmes llogarive bankare të bankave të nivelit të dytë, pas konfirmimit të frekuentimit në programet përkatëse.

Ndërkohë, sipas vendimit nuk përfitojnë bursë financiare studentët të cilët fillojnë studimet në një program të dytë studimi. Ndërsa, sa i takon vlerës së bursës, ajo është përcaktuar në masën 10 000 lekë në muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat