"Publikohen përgjimet,si u blenë votat në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër"

Shqipëria

"Publikohen përgjimet,si u blenë votat në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër"

Më: 31 janar 2019 Në ora: 10:00
Ilustrim

Zëri i Amerikës në bashkëpunim me BIRN dhe gazetaren Klodiana Lala ka publikuar të tjera përgjime ku implikohen politikanët, përfshirë Vangjush Dakon, në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve.

Prokuroria e Krimeve të Rënda disponon dosjet 339 dhe 339/1 ku janë të iplikuar politikanë në blerjen e votave dhe një CD ku shkruhet “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”.

Sipas Zërit të Amerikës nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetra CD me përgjime të patranskriptuara.

Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës.

Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat.

E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore.

Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN ngrejnë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.

Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës.

Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri.

Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien këmbanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Ndërsa dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve.

Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.

I kontaktuar nga BIRN, Dako refuzoi të komentonte mbi marrëdhëniet e shtrira në kohë me vëllezërit Avdyli, mbi ç’mënyrë ishte ndihmuar prej tyre në zgjedhje apo nëse në këmbim, u kishte ofruar atyre zgjidhje të problemeve.

“Unë nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria,” tha ai.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat