Shqetësuese: Për një muaj tetë të vrarë në Shqipëri - Bota Sot
Shqetësuese: Për një muaj tetë të vrarë në Shqipëri

Shqipëria

Shqetësuese: Për një muaj tetë të vrarë në Shqipëri

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Krimi nuk po njeh moshë. Në vitin 2018, 51 persona u vranë dhe në vetëm një muaj të 2019, janë 8 viktima, duke e rritur frikshëm shifrën e të vrarëve që në javët e para të vitit. Në ditën e dytë të vitit të ri, Gazmend Musta, pas një sherri banal vrau me thikë gruan dhe motrën e saj.

Një tjetër krim i rëndë u shënua të hënën e 14 janarit, ku për hakëmarrje ndaj ish-gruas, 52-vjeçari i vret prindërit dhe më pas vetëvritet. Një vrasje me fjalët “Pse më pe”, ndodhi në Korçë.

Një lidhje jashtëmartesore vrau babain e tre fëmijëve. Janari u mbyll me ekzekutimin mafioz në zemër të Tiranës. 15 plumba vërshuan ndaj trupit të ish-policit Arben Bilali. Më poshtë do të gjeni në mënyrë të përmbledhur, vrasjet që tronditën vendin në vetëm 31 ditë. Shifra me 8-të viktima është një jehonë që krimi ka marrë dhenë dhe nuk po ndal.

2 janar: Vrasësi i dy grave, sepse “më ofenduan”

Gentjana dhe Mersia nuk jetojnë më pasi u vranë në shtëpinë e tyre. “Arrest me burg” është masa që dha Gjykata e Krimeve të Rënda për Gazmend Mustën, i cili akuzohet se pas një konflikti për motive banale, vrau gruan dhe motrën e saj 18-vjeç.

Musta në rrëfimin e tij thotë se vrau gruan pasi e kishte ajo kishte ofenduar. “Gruan e godita me thikë sepse më ofendoi, s’duroja më”, tha Musta para togave të zeza. Ai do të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti.

Gentjana, nënë e dy fëmijëve kishte kërkuar të ishte më e lirë, mos ta mbyllnin në shtëpi dhe ta lejonin të fliste në telefon. Grindja e fundit ishte fatale për të dhe për të motrën 18-vjeç, e cila duke tentuar ta shpëtonte ju ndërpre jeta nga 10 goditje me thikën e kuzhinës. Gentiana ka kërkuar që të shkojë për vizitë tek prindërit të cilët jetonin në fshatin Drizar por hasi në kundërshtimin e bashkëshortit. Pas debateve, ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin, i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste. Pas sherrit, ai ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshotren, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar por edhe ajo ka rënë pre e sulmit.

14 janar: Merr hak ndaj ish-gruas, i vret prindërit

Me idenë e qartë, në orën 5:30 të mëngjesit të datës 14 janar, Majlind Lila shkoi në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-bashkëjetueses. Aty kreu aktin e rëndë të vrasjes që tronditi Tiranën. Bujar dhe Xhevaire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52-vjeç, u vranë nga 52-vjeçari, i cili më pas vrau edhe veten, transmeton Koha Jone.

Autori që tronditi mbarë opinionin publik, kishte vetëm 2 ditë që kishte mbërritur nga Suedia por nuk dihet shkaku i ardhjes, apo nëse ishte deportuar pasi kishte kërkuar azil së bashku me Nevilën, vajzën e çiftit të ndjerë. Ish-vjehrrin e vrau në dhomën e ndjenjës, kurse ish-vjehrra humbi jetën nga tentativa për tu larguar nga banesa por plumbat e Lilës i morën jetën në korridor. Lila ka bashkëjetuar me vajzën e çiftit Mata në Suedia.

Nga marrëdhënia e tyre ata kanë edhe një vajzë të vogël. Mësohet se Majlind Lila ka patur konflikte të përsëritshme me Nevilën dhe kjo e fundit nuk kishte pranuar që të kthehej nga Suedia me bashkëjetuesin e saj dhe për këtë arsye ai i ka vrarë prindërit. Nevila reagoi në facebook, ku shkruante se e ka shumë të vështirë të kthehet në Shqipëri nga Suedia, ku edhe jeton me vajzën e saj pasi ndjehet fajtore se ajo e ka sjellë vrasësin në jetën e prindërve të saj.

“Si ju vrava unë ju gjëja ime më e shtrenjtë. Më fal vëlla, më falni të gjithë. Nuk mundem të vij. Nuk u shoh dot në sy. Çfarë tu them që shpëtova veten dhe ju vrava ju. Duhet të isha unë në vendin tuaj. Unë e futa atë të sëmurë në jetën tuaj. Çfarë do ju them kur tu shoh. Pse nuk ju mbrojta dot? Pse mendova vetëm për vete? Pse…?”,-janë fjalët e saja.

15 janar: Atentat mafioz në Vlorë

Vlora tronditet nga krismat e armëve. Në lagjen më të njohur të vrasjeve mafioze, “Pavarësia”, u organizua një atentat, ku i plagosur nga mbetur Mikel Mehmeti, 41-vjeç, i cili ishte brenda automjetit Audi A3. Mehmeti, i cili ka marrë 3 plumba. Mësohet se vetëm në derën e parë të makinës janë mbi 5 plumba, ndërkohë që në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja plumbash.

I plagosuri dyshohet se janë qëlluar nga dy persona që ndodheshin në një makinë që më pas u gjet e djegur, vetëm 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Makina “Audi A3” ishte në ecje në momentin e goditjes. Rruga ku ndodhi ngjarja njihet si një rrugë ku kanë ndodhur të tjera ngjarje kriminale, ku e fundit ishte vrasja e biznesmenit Vasil Dervishaj më 7 qershor 2018.

18 janar: Vret të riun për një fjalë goje

Kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu dhe sërisht do të përfundojë pas hekurave. Olger Mustafaj, një ish-i dënuar për plagosje me kallashnikov, është autor i vrasjes në Korçë. Altin Balliu u vra për një fjalë goje. Autori rezulton një person me precedentë të rrezikshëm penale. Përplasja me 35-vjeçarin Altin Balliu i ndodhi para një lokali në Korçë. Ai po kalonte me makinë dhe rruga ishte e zënë nga mjeti me të cilin po lëviznin shokët e viktimës.

Mustafaj hyri në lokal dhe gjatë sherrit verbal u dëgjuan shprehje të tipit kush jam unë, kush je ti. Më pas është larguar me makinë për t’u kthyer sërish i armatosur me pistoletë. I dyshuari e gjeti vetëm viktimën dhe e qëlloi disa herë kohën, kur ai po shkonte drejt mjetit ku ndodheshin shokët. Dy prej plumbave e prekën Balliun në kokë dhe trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Altin Balliu jetonte në fshatin Sllabinjë të Pogradecit dhe merrej me hapjen e puseve së bashku me vëllezërit.

26 janar: Vëllai vret të dashurin e motrës

I ndodhur në një zonë të thellë malore të Qarkut të Tiranës, fshati Bastar i Mesëm u trondit nga një vrasje, ajo e 34-vjeçarit Arben Gjeci, baba i 3 fëmijëve. Shkak i vrasjes është një histori dashurie jashtëmartese. Elida Cani kishte nisur prej muajsh një lidhje jashtëmartesore me viktimën, Arben Gjeci.

Autor i krimit dyshohet të jetë vëllai i Elidës, Esat Cani për të cilin Gjykata i dha masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për 20-vjeçaren dhe bashkëshortin e saj, masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Esat Cani akuzohet për “plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen”, Dëfrim Kurti për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, kurse Elida për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Të tre të përfshirët në ngjarje, janë munduar që vrasjen ta raportojnë si aksidentale, me argumentin se Gjeci ishte rrëzuar nga një lartësi por 4 plagët në kokë kanë bërë që policia të dyshonte në lidhje me shkaqet e vërteta të ngjarjes dhe pas dëshmive të marra dhe verifikimeve te kryera ka mundur të zbardh vrasjen. Prokuroria Alma Bramo, në dokumentin ku i kërkon Gjykatës vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë, jep dëshmitë e tre personazheve të vrasjes.

30 janar: Zinxhiri i vrasjeve, ekzekutohet ish-polici

Pas vrasjes në 1997 dhe në 2010, familjes Balili i vranë edhe djalin e tretë. Ish-efektivi i policisë, Arben Bilali humbi jetën nga një ekzekutim mafioz. Ndaj 50-vjeçit u qëllua me të paktën 14 plumba nga një automjet tip “Mercedens Benz” me ngjyrë të zezë. Vrasësi nuk ka dalë nga automjeti dhe ka nxjerrë armën nga dritarja e pasme.

Ai qëndronte i ulur në sediljen prapa shoferit dhe kreu qitje me zjarr të hapur në drejtim të 50-vjeçarit Bilali. Vrasësi, jo vetëm që nuk doli nga automjeti por nuk e ka nxjerrë as kokën prej makinës, gjë që do t’i jepte policisë një mundësi identifikimi. Automjeti është larguar më pas me shpejtësi, ndërsa policia vazhdon të mbledhë prova të tjera filmike për të parë se ku është ndalesa e fundit e këtij automjeti, nga ku u krye vrasja.

Ndërsa viktima ishte në automjetin e tij “Hyundai”. Në atë moment kishte parkuar për të shkuar në një lokal në afërsi të vendngjarjes. Krimi ka ndodhur në të njëjtin vend, ku viktimës i kishin vrarë vëllain 9 vite më parë. Pista kryesore e kësaj vrasjeje mbetet ajo e hakmarrjes. Bilali ishte pjesë e një familjeje që prej vitesh janë në një hasmëri me një tjetër fis në “Yzberish” të Tiranës, e prej këtij konflikti numërohen disa të vrarë nga të dyja familjet.

Konflikt ky që daton prej vitit 1997. Ish-efektivi i policisë kishte vendosur kamera në të gjithë shtëpinë e tij, pasi i druhej një atentati të mundshëm. Pas vrasjes së Bujar Bilalit në vitin 1997 dhe Leonard Bilalit në vitin 2010, Arbeni qëndronte i ngujuar në banesën e tij shumicën e kohës, duke mos dalë shpesh. 3 vëllezërit e vrarë, kanë edhe një vëlla tjetër që qëndron gjithashtu i ngujuar prej frikës së vrasjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...