Standard and Poor’s: Shqipëria do vazhdojë të tërheqë investimet e huaja

Shqipëria

Standard and Poor’s: Shqipëria do vazhdojë të tërheqë investimet e huaja

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 09:41
Standard and Poor’s

Agjencia e vlerësimit Standard and Poor’s ka publikuar sot raportin për ekonominë shqiptare, në të cilin konfirmon vlerësimin B+ dhe perspektivën pozitive për periudhën në vijim.

S&P konfirmon rritjen ekonomike mesatare prej 4% edhe në vitet e ardhshme, ndërsa thekson se në aspektin fiskal Shqipëria ka performuar më mirë se vendet fqinje të së njëjtës kategori.

S&P vlerëson gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë investime të huaja direkte solide, në sektorë me vlerë të shtuar edhe përgjatë viteve të ardhshme.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka reaguar për raportin e publikuar sot nga S&P duke u shprehur se pas FMN, ky raport tjetër notë pozitive për ekonominë shqiptare.

“Rritja ekonomike konfirmohet në 4.2% për vitin 2018, vlerësohet vazhdimi i konsolidimit fiskal, ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe deficitit; Përmirësimi i klimës së biznesit dhe investimeve të huaja, që do të mbeten solide edhe përgjatë viteve në vijim”, shprehet Ahmetaj.

“S&P vlerëson me nota tejet pozitive performancën fiskale të ekonomisë dhe thekson se Shqipëria në aspektin fiskal performon më mirë se vendet fqinje në rajon me renditjen B+, si rezultat i rritjes ekonomike të shëndetshme dhe angazhimit të qeverisë për uljen e vazhdueshme të borxhit publik, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit. Borxhi publik do të vijojë trajektoren ulëse, drejt nivelit 60% në 2022. S&P vlerëson se rritja ekonomike në periudhën në vijim do të mbështetet tek rritja e konsumit dhe punësimit”, shton më tej Ahmetaj.

Sipas tij, perspektiva pozitive në afatmesëm dhe afatgjatë, reflekton zgjerimin e ekonomisë shqiptare me mesatarisht 4% përgjatë viteve në vijim, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksportet, kryesisht ato të shërbimeve, uljen e mëtejshme të deficitit fiscal, uljen graduale të deficitit të llogarisë korrente, i cili do të mbulohet kryesisht nga flukset e investimeve të huaja direkte.

Gjithashtu, shton Ahmetaj, raporti konfirmon rritjen e qëndrueshme të të ardhurave, mbështetur nga performanca e fortë ekonomike dhe mirëadministrimi.

“Vazhdimi i reformave, është kusht i rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit, ndërsa Shqipëria mund të përfitojë nga projekte investimesh të huaja direkte me bazë të gjere, në sektorë me vlerë të shtuar, sikurse ka filluar tashmë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, apo shërbimet e biznesit”, përfundon Ahmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat