Rritet numri i aksidenteve pa autorë, kompanitë në alarm: Ka inskenime, policia…

Shqipëria

Rritet numri i aksidenteve pa autorë, kompanitë në alarm: Ka inskenime, policia…

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 23:39
Foto ilustrim

Shoqata e Siguruesve dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve deklaroi dje se rritja e numrit të aksidenteve ku nuk identifikohen shkaktarët apo ku ngjarja rezulton e inskenuar po rëndon bilancet e kompanive.

Shoqata e Siguruesve u bën apel institucioneve të marrin masa për zbulimin e autorëve, që kanë shkaktuar këto vepra penale. Të dhënat e fundit të Byrosë së Sigurimeve tregojnë se vitet e fundit aksidentet pa shkaktarë janë rritur. Nga viti 2010 e deri më sot janë konstatuar 309 raste të tilla. Referuar këtyre të dhënave, rritja fillon që prej vitit 2013, ku numri i aksidenteve të këtij lloji shënoi 54 të tilla. Edhe në muajin e parë të këtij viti, Shoqata e Siguruesve shprehet se shifrat janë alarmante, ku deri tani numërohen 8 raste.

“Kohët e fundit vërehet një rritje në përmasa të mëdha e të paprecedent të aksidenteve automobilistike me shkaktarë të paidentifikuar, me pasojë vdekjen dhe dëmtimin e rëndë shëndetësor të personave në këto ngjarje. Rritja e numrit të aksidenteve me shkaktarë të paidentifikuar është një nga faktorët kryesorë të akumulimit të detyrimeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj, shlyerja e të cilave rëndon padrejtësisht situatën e Fondit të Kompensimit dhe bilancet financiare të shoqërive të sigurimit, si anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve”, shprehet Shoqata e Siguruesve.

Nga ana tjetër është konstatuar se shumica e ngjarjeve janë të inskenuara me qëllim përfitimi. Sipas Shoqatës së Siguruesve, kjo ndodh në bashkëpunim me punonjësit e Policisë, prokurorët dhe gjykatësit.

“Tregu i sigurimeve ndihet ekstremisht i shqetësuar për këtë fenomen, pasi në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me inskenime të ngjarjeve nga segmente të caktuara të ekspertëve rrugorë, të Policisë, të gjykatave, Prokurorisë etj., dhe të nxitura nga interesa të kundërligjshme të disa avokatëve të kësaj fushe. Në mjaft raste, çështjet janë pezulluar nga Prokuroria dhe më pas flenë ndër vite në zyrat e Policisë së Shtetit për moszbulim të autorit të ngjarjes, duke mos u kryer asnjë veprim hetimor i mëtejshëm. Çdo veprim i kryer nga subjektet e mësipërme me dashje në shërbim të interesave të të tretëve është ligjërisht i dënueshëm dhe përbën vepër penale”, shprehet Shoqata e Siguruesve.

Për shkak të kësaj situate, Shoqata e Siguruesve në emër të shoqërive siguruese që ushtrojnë aktivitetin e sigurimit në Republikën e Shqipërisë dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit, gjykatave, Prokurorisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që të trajtojnë me zero tolerancë çdo person apo institucion që është pjesë e fabrikimit të ngjarjeve të tilla, si edhe të marrin masa të menjëhershme lidhur me zbulimin e autorëve të këtyre veprave penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat