Basha: Rama nuk ka shans që t’i djegë vitin studentëve!

Shqipëria

Basha: Rama nuk ka shans që t’i djegë vitin studentëve!

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 15:02
Lulzim Basha

Nga Fieri, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për studentët, sipas të cilit ata rrezikojnë të humbasin vitin akademik për shkak të bllokimit të procesit mësimor.

Basha tha se kjo nuk do të lejohet: “Asnjë shans nuk ka Edi Rama që të djegë vitin akademik. Viti akademik i studentëve do të jetë i plotë, do të njihet i plotë dhe do të njihet bashkë me mirënjohejn e thellë të qytetarëve shqiptarë për rolin e tyre në këtë zgjim të madh kombëtar, që ka dhe do të ketë vetëm një përfundim: çlirimin e Shqipërisë nga oligarkia, çlirimin e Shqipërisë nga krimi dhe kthimin e Shqipërisë tek zotërit e saj të vërtetë, që jeni ju, qytetarët e lirë shqiptarë”.

Basha ishte dhe në Frakull, ku u takua me një grup fermerësh, të cilëve u shpjegoi projektin e demokratëve për bujqësinë: “Zgjidhja jonë për fshatin është që të dedikojmë 100 milionë dollarë në vit për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët, në mënyrë që edhe ju të nxirrni fitimin e punës suaj, edhe prodhimet tuaja të arrijnë tek konsumatori me një çmim të arsyeshëm. Pra, 50 milionë dollarë do të shkojnë për infrastrukturën, 100 milionë dollarë do të jepen si subvencione të drejtpërdrejta”.

Kreu i PD-së ftoi qytetarët më 16 shkurt në Tiranë jo për të dëgjuar fjalime, siç tha ai, por për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të ndershme: “Ne, mjete politike, veç zgjedhjeve, për të ardhur në pushtet nuk kemi. Por zgjedhje të lira e të ndershme me Niçen, me Gjushin, me Ramën, nuk ka. Kjo është arsyeja që ju kemi thirrur në një protestë në 16 shkurt. Sepse këtë zgjidhje mund ta jepni vetëm ju si popull. Nuk ju kam thirrur për të mbajtur fjalime më 16 shkurt. Nuk kam çfarë t’ju them më. E vetmja gjë që mund t’ju them, është ejani aty, me pjesëmarrjen tuaj bëni atë që bën çdo popull europian: deklaroni fundin e këtij regjimi dhe të hapim rrugën për një zgjidhje politike”.

Demokratët protestuan edhe në Elbasan, ku marshuan në bulevardin kryesor drejt bashkisë së qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat