“Do plotësojmë kërkesat” Shahini: Studentët pengohen nga pedagogë partiakë

Shqipëria

“Do plotësojmë kërkesat” Shahini: Studentët pengohen nga pedagogë partiakë

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 22:03
Besa Shahini

Ministrja Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me protestën e studenteve dhe pedagogëve.

Shahini shprehet se çdo ditë i shkruajnë studentë që duan të realizojë procesin mësimor, por sipas saj pengohen nga disa pedagogë partiakë të cilët kanë vendosur të bojkotojnë.
Ministrja thekson se qeveria po punon për të plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa shton se ky hap është vetëm një piknisje.

Statusi i plotë i Shahinit:

Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim tek fakultetet ku disa pedagogë kanë vendosur të mos mbajnë mësim. Më vjen keq që këta pedagogë, disa prej tyre haptazi partiakë, në vend që të shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar nga protesta e të marrin pjesë në proces tashmë të filluar të adresimit të çështjeve që kanë, vendosin të bëjnë bojkot kur ky mjet proteste nuk ka më kuptim.

Më vjen keq gjithashtu që udhëheqësit e Universitetit të Tiranës nuk merren me pjesën që u takon për të adresuar çështjet që kanë pedagogët dhe studentët.

Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me studentë dhe pedagogë për #paktinpëruniversitetin duke përmbushur pjesën tonë të zotimit që morrëm në dhjetor. Nëse universitetet janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e studentëve, ne vëmë resurse në dispozicion dhe ua lëmë universiteteve të udhëheqin procesin.

E kemi thënë disa herë: asgjë nuk është e shkruar në gur. #paktipëruniversitetin është një pikënisje – mund ta pasurojmë dhe ndryshojmë siç duan aktorët e përfshrirë. Por kjo nuk ndodh me bojkot dhe ultimatum. Kjo ndodh me përfshirje dhe kontribut në procesin e pakthyeshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit te lartë dhe eksperiencës studentore në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat