Marrëveshje politike me Ramën? Basha: Ka marrë fund ajo punë…

Shqipëria

Marrëveshje politike me Ramën? Basha: Ka marrë fund ajo punë…

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 09:31
Lideri opozitarë në Shqipëri Lulzim Basha

 Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka garantuar shqiptarët se Partia Demokratike nuk do të përsërisë gabimet e së shkuarës në raport me Kryeministrin Rama.

Duke iu referuar marrëveshjes së 18 majit të vitit 2017, kreu i PD-së, nga Kruja, garantoi se me Edi Ramën nuk do të ketë më asnjë marrëveshje politike. Në turin e tij të takimeve për organizimin e protestës së 16 shkurtit, Basha iu bëri thirrje banorëve të Krujës që njësoj si 500 vjet më parë, të bashkohen dhe të ngrihen për një kauzë të drejtë që do ta rikthejë vendin në binarët e zhvillimit normal europian.

“Ka marrë fund ajo punë. Këtu, në këtë shesh të Krujës, ua premtoj përpara Sari Salltikut. Nuk ka më. Ajo marrëveshje u bë një herë për të garantuar votën dhe ai e shkeli. Në 16 shkurt, hajdeni dhe merreni në dorën tuaj. Nuk ka më. Kruja është vendi dhe Kuvendi, për t’ju dhënë një mesazh, jo vetëm për ju, burrave dhe grave të Krujës, të rinjve dhe të rejave të Krujës, por gjithë Shqipërisë: 500 vjet më parë, një popull i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake, politike dhe ekonomike të botës, këtu në Krujë. Pse i qëndroi? Se ishin të bashkuar. Se luftonin për kauzën e drejtë dhe kjo u jepte kurajën për të luftuar. Sot ka ardhur dita ta rimarrim prapë këtë shembull e t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të shohim njëri-tjetrin në sy e të themi: ne e kemi kauzën e drejtë, ne do të luftojmë së bashku për kauzën e drejtë. Ne do ta shporrim të keqen dhe do ta rikthejmë Shqipërinë, në binarët e zhvillimit normal europian”, tha Basha. Kreu i PD-së kërkoi ndihmën e qytetarëve për të vënë në lëvizje procesin politik e për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, përcjell gazeta panorama.

PROTESTA

Sipas kreut të demokratëve, politika është e bllokuar nga vjedhja e zgjedhjeve, ndërkohë që drejtësia është e kapur, prandaj edhe e vetmja forcë që mund të zhbllokojë situatën është forca e shqiptarëve të bashkuar. Basha tha se është gati për të vënë në zbatim programin e tij ekonomik, ndaj edhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për të protestuar kundër qeverisjes së Edi Ramën.

“Që t’i hapim rrugë këtij procesi, zonja dhe zotërinj, kemi nevojë për ndihmën tuaj. Politika është bllokuar nga vjedhja e zgjedhjeve, drejtësia është bllokuar nga kapja e prokurorisë dhe e gjyqtarëve, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo që po ju them sot tani është themeli i çdo shoqërie europiane, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo forcë janë shqiptarët e bashkuar me 16 shkurt në Tiranë. Ne jemi gati t’ju shërbejmë. Unë jam gati t’ju shërbej, me planin tonë, me ekipin tonë, me ekspertë, me njerëz me integritet, njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre dhe s’janë përfolur kurrë. Kam nderin që të kem këtu, pjesë të ekipit tim, Florion Mimën, Çlirim Gjatën dhe të tjerë anëtarë të ekipit të Partisë Demokratike”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat