Gjermani: Protesta e 16 shkurtit të jetë paqësore të mos kthehet në dhunë

Shqipëria

Gjermani: Protesta e 16 shkurtit të jetë paqësore të mos kthehet në dhunë

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 09:55
Michael Roth

Shqipëria të vijojë reformat, opozita të miratojë Kodin Zgjedhor thotë për DW, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth.

Gjatë intervistës ministri bëri thirrje opozitës që protestat të jenë paqësore dhe se e ka vendin në parlament dhe jo në rrugë.

Pjesë nga intervista

 Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?

Michael Roth: Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me "Zërin e Amerikës" protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar, ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Michael Roth: Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Michael Roth: Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat