Meta takohet me kongresmenin Engel: Vëmendje e veçantë për Kosovën

Shqipëria

Meta takohet me kongresmenin Engel: Vëmendje e veçantë për Kosovën

Nga: Beqir SINA- New York Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 15:19
Ilir Meta dhe Eliot Engel

WASHINGTON (Bota sot 7 Janar 2018) Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Presidenti Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. 

Presidenti Meta shprehu besimin se Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

Image

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kongresmeni Eliot Engel siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.

Image

 

“Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat