Thellohet skandali i tenderave në ministrinë e Drejtësisë, Prokuroria hetime ndaj Manjanit, Vasilit dhe Bardhit

Shqipëria

Thellohet skandali i tenderave në ministrinë e Drejtësisë, Prokuroria hetime ndaj Manjanit, Vasilit dhe Bardhit

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 08:56
Ylli Manjani dhe Petrit Vasili

3 ish-ministra të Drejtësisë priten të thirren nga Prokuroria e Tiranës dëshmuar në lidhje me abuzimet me tenderat gjatë kohës që ata kishin drejtimin e kësaj ministrie.

Konkretisht, do të thirren për të dëshmuar ish-ministri Ylli Manjani, Petrit Vasili dhe Gazmend Bardhi.

Tre ish-ministrat do të pyeten poër rolin e tyre në procedurat e prokurimit. Ndaj dy ish-ministrave Ylli Manjani dhe Petrit Vasili, do të bëhet verifikimi i plotë në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, ku gjithashtu ata do të japin dëshminë e tyre për të shpjeguar vjedhjet e ndodhura gjatë kohë që mbanin postin e ministrit të Drejtësisë.

Duke qenë se kontratat vijojnë të jenë në zbatim edhe aktualisht, organi i akuzës do të kryejë një verifikim edhe për ministren aktuale të Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë kishte nisur prej muajsh një hetim, i cili u finalizua ditën e martë me caktimin e masave të sigurisë për 12 ishzyrtarët. Ndërsa disa prej tyre ishin thirrur pak kohë më parë për t’u marrë në pyetje.

Mësohet se njëri nga të arrestuarit, drejtori i Shërbimeve Ekonomike dhe Mbështetëse në këtë ministri, Aurel Lamçe, që njëkohësisht ishte i komanduar edhe si sekretar i përgjithshëm, është shoqëruar mbrëmjen e së martës nga oficerët e Antikrimit Ekonomik.

Ai ndodhej në një lokal në afërsi të Tregut Elektrik, kur u ndalua në zbatim të urdhrit të Prokurorisë.

Nën masë sigurimi “Arrest shtëpie” është dhe ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha. Ndërkohë, në burg janë edhe dy ekspertë të IT, Lysien Ali dhe Arlind Alika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat