Universitetet në Shqipëri, 41% të buxhetit për paga, zero lekë për shkencë - Bota Sot
Universitetet në Shqipëri, 41% të buxhetit për paga, zero lekë për shkencë

Shqipëria

Universitetet në Shqipëri, 41% të buxhetit për paga, zero lekë për shkencë

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 09:19
Foto Ilustrim

Universitetet publike në Shqipëri shpenzojnë deri në 41 % të buxhetit për administratën e fryrë, ndërsa të ardhurat e parashikuara për kërkimin shkencor variojnë nga zero deri në 3.1 të buxhetit. Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë auditimit të 7 universiteteve kryesore publike në Shqipëri, me temë “cilësia dhe tarifimi i shërbimeve studentore pranë institucioneve të arsimit të lartë (IAL-ve)”. Kontrolli i realizuar për vitin akademik 2017-2018, është fokusuar në Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Universitetin Bujqësor Tiranë, Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë si dhe në Universitetin “Fan S. Noli” Korçë.

Universitetet e audituara kanë fryrë jashtë realitetit strukturat organizative, duke rritur shpenzimet mbi të ardhurat. Gjithashtu, në këto universitete, personeli administrativ dhe mbështetës është shumë i lartë kundrejt stafit akademik. Sipas raportit të KLSH, për vitin 2017-2018, Universiteti i Durrësit ka shpenzuar 41 % e të ardhurave për pagesat e personelit, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 25 % e të ardhurave dhe Universiteti i Universiteti i Vlorës ka shpenzuar 27 % e të ardhurave për pagesën e personelit.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nuk kanë parashikuar asnjë lekë për kërkimin shkencor. “Universiteti i Mjekësisë Tiranë për vitin 2017/18 nuk kishte planifikuar fonde për kërkimin shkencor nga të ardhurat e veta, duke e argumentuar me arsyen që kanë marrë pjesë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Por nga kryqëzimi i të dhënave të AKKSHI-t për vitin 2017 asnjë nga IAL-të subjekt i këtij auditimi nuk kanë aplikuar për projekte kombëtare pranë saj”, thuhet në raport. Sipas KLSH, vetëm Universiteti Fan. S. Noli Korçë ka parashikuar 3.1 % e të ardhurave për kërkimin shkencor.

Studentët paguajnë, por nuk marrin shërbime

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se studentët paguajnë tarifa të larta për shkollimin, por nuk marrin shërbimet e duhura nga institucionet e arsimit të lartë. Në raport theksohet se shërbimet ndaj studenteve janë të limituara, me shumë hallka burokratike dhe të një cilësie të ulët. Nga ana tjetër, tarifat e shkollimit janë të vendosura jo mbi bazën e analizës së kostove dhe kushteve social ekonomike të vendit.

“Të ardhurat që përfitohen nga tarifat e shkollimit, regjistrimit, konkurrimit dhe të shërbimeve të tjera studentore përbëjnë një të ardhur të rëndësishme për procesin mësimor, akademik, shkencor dhe administrativ të IAL-ve publike. Të ardhurat dytësore në IAL-të publike, përfitohen kryesisht nga tarifat e shkollimit dhe të shërbimeve ndaj studentëve, të cilat variojnë në diapazonin 27-51% kundrejt buxhetit total të IAL-ve subjekt i këtij auditimi. Ndër shqetësimet kryesore të studentëve të IAL-ve publike është cilësia e ulët e shërbimeve dhe tarifat e larta të shkollimit, të shërbimeve si dhe mungesa e kartës së studentit”, thuhet në raport.

Konkluzioni i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzionin se institucionet e arsimit të lartë vijojnë të mbeten pasive në marrjen përsipër të përgjegjësive për të ofruar një arsim cilësor ndaj studentëve të tyre, kërkim shkencor real (jofiktiv dhe aplikativ) dhe tarifa konkurruese për të financuar me kosto optimale shërbimet e tyre. “Mendësia e drejtuesve të IAL-ve publike nuk është ende përshtatur me vizionin dhe kompetencat e ligjit të ri të arsimit të lartë, ndërsa mendësia e pedagogëve vijon të jetë më afër asaj të mësuesit sesa kërkuesit shkencor. Nën perceptimin e studentëve, IAL-të kujdesen pak ose aspak për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë tek ta”, thuhet në raportin e kontrollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...