Basha fton mirditorët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit

Shqipëria

Basha fton mirditorët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 11:10
Basha fton mirditorët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit

Turin e tij politik, kryetari i PD-së, Lulzim Basha e zhvendosi në Rrëshen këtë të shtunë, teksa ftoi mirditorët t’i bashkohen protestës së opozitës më 16 shkurt, në kryeqytet.

Duke përsëritur pengmarrjen e Mirditës dhe të vendit, siç e quan ai, Basha tha se sheh në sytë e qytetarëve vendosmërinë për t’u ngritur dhe për t’u bashkuar.

“Problemet tuaja janë problemet e shumicës dërrmuese të të gjithë shqiptarëve. Megjithatë, ka lindur një shpresë e re për ndryshim. Nga përvoja personale, nuk ka gjë më të shtrenjtë sesa vendi yt”, tha Basha.

Ai akuzoi se janë vjedhur fonde publike me skema korruptive, pasi qeveria e ka lidhur fatin e saj me banda dhe kriminelë.

“Gjushi (Vangjush Dako) dhe shokët e tij duhej të ishin prapa hekurave, por i mbron Edi Rama. I mbron sepse prapa skemave është vet ai. Edhe qeveria më e korruptuar e Europës do ta prangoste ministrin e tenderit të Unazës së re”, deklaroi më tej Basha.

Ai përsëriti gjithashtu akuzën se zgjedhjet janë asgjësuar nga një grup kriminelësh. “Por, më 16 shkurt do t’i jepet fund këtij grushti shteti të Edi Ramës, kryeministrit më të korruptuar në Europë”.

Me të ardhur në pushtet, Basha thotë se objektivi kryesor i PD-së do të jetë hapja e vendeve të punës për të rinjtë, ndërkohë që do të ketë një qeveri që iu shtrin dorën qytetarëve dhe jo t’i braktisë ata. Sikurse do të ulet edhe çmimi i karburantit me 30 lekë, që në ditën e parë të qeverisë.

“Dosja 339 tregon se as Edi Rama, as qeveria nuk janë legjitimë. Më 16 shkurt nuk do të dëgjohen fjalimet, do të dëgjohet verdikti popullor. Aq sa i zë besë gjarprit, aq do t’i besoj Edi Ramës”, tha Basha, duke nënkuptuar mospasjen e një marrëveshjeje të mundshme me Ramën, si ajo e majit të 2017-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat