Biznesi drejt shfarosjes/ Mbyllen 2 mijë ndërmarrje vetëm në janar

Shqipëria

Biznesi drejt shfarosjes/ Mbyllen 2 mijë ndërmarrje vetëm në janar

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 22:20
Foto ilustrim

Viti 2019 ka nisur edhe më i vështirë për bizneset shqiptare, të cilat vazhdojnë të mbyllen në masë. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm për muajin janar dhe ditët e para të shkurtit kaluar në status pasiv mbi 2 mijë biznese duke pezulluar aktivitetin e tyre.

Kjo do të thotë se nga fillimi i vitit 2019, në Shqipëri janë mbyllur çdo ditë 50 biznese, ose 70 biznese për çdo ditë pune, çka përbën një rekord të ri negativ. 

Ky është një ritëm edhe më i keq se ai i vitit të kaluar kur bizneset, veçanërisht ato të vogla mbyllën qepenin në masë të goditura nga kriza, por edhe përfshirja në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. 

Gjate vitit 2018 kanë kaluar në status pasiv plot 15.340 biznese ose 62 % me shume se një vit më parë. Mbyllja e bizneseve u përshpejtua veçanërisht gjatë vitit të kaluar, pasi hyri nq fuqi ligji që detyron biznesin e vogël të paguaj Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Bizneset e vogla po përballen me një situatë të vështirë financiare, që manifestohet nga rënia e shitjeve dhe  pamundësia për të shlyer kreditë. Banka e Shqipërisë në raportimet e saj periodike ka vënë në dukje se bizneset e vogla kanë pësuar rënie të shitjeve dhe përkeqësim të gjendjes së tyre financiare, veçanërisht duke filluar nga viti i kaluar.

Vitet e fundit, qeveria ka miratuar një sërë masash fiskale dhe ligjore, të cilat kanë goditur biznesin e vogël. Më e përfolura ka qenë vendosja e tvsh, e cila sipas shoqatës së biznesit të vogël do të rrisë me 200 mijë lekë në vit barrën e taksave për sipërmarrësit e vegjël, çka për një pjesë të madhe të tyre është e papërballueshme dhe i çon në faliment.

Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi, vetëpunësimin përmes hapjes së bizneseve familjare. Por tani shumë nga këto vende pune kanë filluar të humbasin, për shkak se bizneset po kalojnë masivisht në status pasiv duke ulur qepenat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat