KQZ ndan paratë për zgjedhjet, PS dhe PD marrin 170 milionë lekë

Shqipëria

KQZ ndan paratë për zgjedhjet, PS dhe PD marrin 170 milionë lekë

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 08:51
Foto

Lindita Bushgjokaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton fondin për zgjedhjet e 30 qershorit, ku shumat më të mëdha i përfitojnë PS, PD dhe LSI. Kreu i KQZ-së, Klement Zguri bëri të ditur se gjashtë parti politike do të përfitojnë nga fondi shumën prej 190 milionë lekësh të akorduara nga buxheti i shtetit për zgjedhjet vendore. Ndërkohë, që pjesën më të madhe të këtij buxheti e përfitojnë PS dhe PD, përkatësisht 86 dhe 82.8 milionë lekë. Partitë e tjera politikë, LSI, si forca e tretë politikë do të përfitojë mbi 27 milionë lekë, PDIU me 10 milionë, ndërsa  socialdemokratët me rreth 7 milionë lekë. Partitë politike, bazuar në Kodin Zgjedhor përfitojnë financa nga taksapaguesit, për zhvillimin e fushatës zgjedhore. Por fondi që parashikon buxheti i shtetit, sipas rregullores është: “95 për qind e fondit i shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, të cilat kanë përfituar jo më pak se 0,5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet paraardhëse; b) 5 për qind e fondit i shpërndahet partive politike që janë regjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni”.

Çfarë thotë rregullorja për buxhetin?

Së pari, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.  Së dyti, KQZ-ja, brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës, që kanë fituar jo më pak se 0,5 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi.  Së treti, KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme, të përcaktuar sipas pikës 2 të këtij neni, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet e radhës.  Së katërti, KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur sipas pikës 3 sanksionet financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse, sipas këtij ligji. Shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është fondi që përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje nga Buxheti i Shtetit. Në rast se shuma e përfituar, sipas këtij neni, është më e vogël se shuma e dhënë paradhënie për financimin e fushatës zgjedhore, partia është e detyruar të kthejë diferencën e përfituar. Së pesti,  Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, sipas këtij neni, brenda 90 ditëve, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.

Imuniteti

Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkut, Erida Skëndaj, në një prononcim për gazetën “Shekulli” flet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, përmes së cilës maxhoranca rikthen imunitetin deputetëve socialist. Skëndaj tha se ndryshimet nuk mund të tejkalojnë Kushtetutën, dhe si e tillë i bie fuqia për të rikthyer imunitetin e deputetëve. “Kam përshtypjen që rregullorja synon të harmonizohet me ndryshimet që ka pësuar Kushtetuta në vitin 2012-të, pasi rregullorja daton para këtij viti. Por rregullorja nuk mund të tejkalojë kushtetutën dhe nuk e kthen dot imunitetin, sepse ai kufizohet me kushtetutë. Diskrecioni për kufizimin e tij i takon kuvendit”,-tha Skëndaj. Edhe pse opozita e ka kundërshtuar këtë rregullore, me argumentin se ndryshimet shërbejnë si mburojë për të mbrojtur deputetët e inkriminuar, por kreu IX i draftit thotë të kundërtën. “Lidhur me riformulimin e Kreut IX “Rregulli dhe sjellja në Kuvend”, i Pjesës së Parë të Rregullores, këto janë propozime të ardhura nga opozita PD, deputeti E. Alibeaj, i cili ishte anëtar i grupit të punës për Kodin e Sjelljes së Deputetëve. Këto formulime janë propozuar prej z. Alibeaj për t’u përfshirë në Kodin e Sjelljes, por u arrit dakordësia që këtë ndryshime të bëhen në Rregullore. Për këtë qëllim janë bërë pjesë e këtij dokumenti pune, i cili ka qenë objekt diskutimi me opozitën deri më prill 2018. Kreu është riformuluar tërësisht, masat disiplinore janë ndarë në nene të veçanta, është parashikuar ankimi ndaj masës disiplinore, janë parashikuar edhe subjektet që duhet t’i nënshtrohen këtyre rregullave të sjelljes”-, thuhet në rregulloren e ndryshuar të Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat