Konflikti Kelmendi- Veliaj, PD pyet kryebashkikun E dini sesa vite burg mund të dënoheni?!

Shqipëria

Konflikti Kelmendi- Veliaj, PD pyet kryebashkikun E dini sesa vite burg mund të dënoheni?!

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 21:53
Ramiz Kelmendi dhe Erion Veliaj

Demokratët përmes një njoftimi për shtyp i kanë kërkuar kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj që të shpjegojë konfliktin e tij me biznesmenin e Kosovës Ramiz Kelmendi, një çështje e bërë publike pak ditë më parë dhe që përfshin një aferë të mundshme korruptive.

PD saktëson se toka ku Veliaj i ka dhënë leje ndërtimi Kelmendit rezulton që të jetë vendi ku do të kryhej terminali multimodal i autobusëve, por sërish kjo nuk e ka ndaluar kryebashkiakun që të japë një leje për ndërtimin e një qendre tregtare nga ana e biznesmenit Kelmendi.

Përtej denoncimit të bërë publik nga vetë biznesmeni, se Veliaj i ka marrë miliona euro, PD pyet kryebashkiakun nëse ai është në dijeni të faktit sesa vite burg mund të dënohet për këtë vepër penale.

Për më tepër ndiqni të plotë njoftimin e PD:

Përse miratoi leje ndërtimi Veliaj në një truall për të cilin kishte projekt?!

Dje z. Ramiz Kelmendi, me anë të letrës publike drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, akuzonte këtë të fundit për ndërhyrje të paligjshme, duke pezulluar punimet e ndërtimit, ndërtim për të cilin vetë ky institucion ka miratuar leje ndërtimi në 31 tetor 2018.

Pa hyrë në themel të konfliktit mes palës private dhe palës shtetërore, nga verifikimet rezultojnë fakte për të cilat Bashkia Tiranë ka detyrimin ligjor të japë shpjegime.

Së pari, për zonën në fjalë, (Mëzez, kthesa e Kamzës) qysh në 2013 është në fuqi projekti i financuar nga IFC për ndërtimin e një terminali multimodal. http://acp.al/projects/119/Terminali-Multimodal.

Pikërisht në zonën objekt i projektit, në 31 tetor 2018, Bashkia Tiranë ka miratuar leje ndërtimi për qendër tregtare, në favor të shoqërisë “E***” shpk.

Shoqëria përfituese e Lejes së sipërpërmendur, në vijim të miratimit të saj dhe në përputhje me detyrimin ligjor, ka kryer pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, me vlerë 157,977,643 lekë (1,25 mln Euro).

Në reagimin e tij kryetari i Bashkisë Tiranë tërthorazi pranoi se leja e ndërtimit e lëshuar prej tij, nuk mund të zbatohet. Për këtë ai përmendi falsifikime dokumentesh e marifete.

Por në të vërtetë Bashkia Tiranë në 2016 ka qenë pjesë e procesit të njohjes të pronësisë, duke kryer ajo vetë afishimin publik, me fuqi ligjore pranë Njësisë Administrative Kashar.

Së dyti, siç u përmend më sipër dhe siç e pohoi vetë titullari i institucionit, për këtë zonë ka një projekt në fuqi. Vetë z. Veliaj pohoi vullnetin për zbatimin e tij.

Pyetjet që lindin natyrshëm janë:

Përse Bashkia Tiranë miratoi leje ndërtimi në zonë për të cilën ka një projekt që pret të zbatohet?

Përse Bashkia Tiranë pranoi edhe pagesën e taksës prej 1,2 mln euro nga subjekti privat kur nuk kishte vullnet të lejonte zbatimin e lejes së miratuar nga ajo vetë?

Kush mban përgjegjësi për shkeljet e të drejtave që gëzon subjekti privat, të drejta të cilat i ka fituar duke respektuar procedurat ligjore?

Përpara një skandali të tillë shumëplanësh, reagimet e z. Veliaj janë thellësisht të pamjaftueshme për të justifikuar ligjërisht shkelje, të cilat konfigurojnë vepër të pastër penale.

A ka një informacion të përgjithshëm kryetari i Bashkisë Tiranë se sa vite heqje lirie rrezikon për veprën penale që ka konsumuar?

Edhe pse shpresëpak, mbetemi në pritje të një reagimi serioz të autorit të këtij shpërdorimi me detyrën dhe cenimi të të drejtave të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat