Flet socilogu Gëzim Tushi: Jeta postmoderne sjell shumë anomali, shumë ankthe, shumë frikëra

Shqipëria

Flet socilogu Gëzim Tushi: Jeta postmoderne sjell shumë anomali, shumë ankthe, shumë frikëra

Nga: Albert Z. Zholi Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 09:39
Gëzim Tushi

Kohët e fundit janë intensifikuar rastet e veprimeve kriminale në Shqipëri, madje në përmasa alarmante dhe me një diapazon shqetësues dhe tipologji të frikshme. Ndërkaq nuk ka dyshim, që duke parë situatën e reagimeve kundër tij, të duket se jemi në rrugë qytetarisht të gabuar, që tregon se gradualisht shoqëria jonë, për fat të keq, në vend të reagimit të fortë duket se ka filluar të mësohet, të adoptohet fatalisht me këtë zgjerim të situatës kriminale në Shqipëri.

A është normale kjo situatë sociale dhe kjo amplitudë perceptimi për krimin në Shqipëri?

Natyrisht që jo. A duhet lejuar perceptimi i deformuar për krimin dhe kriminelët? A duhet pranuar ideja e deformuar sociale, sipas së cilës shkaqet e shtimit të krimit dhe zgjerimi i klimës së kriminalitetit, është e lidhur me faktin që demokracia shqiptare duke sjellë lirinë, solli në të njëjtën kohë edhe clirimin e “njeriut kriminel”? Sepse për fat të keq, kjo gjë e mirë që e solli liria në shoqërinë tonë, gjithnjë e më shumë po shoqërohet me shtimin e rrezikut social, që vjen nga thellimi tek shumë njerëz i idesë së gabuar për lirinë si “clirim individual” i pakontrolluara, i shoqëruar subjektivisht me procesin e “carjes së brendshme” të personalitetit, zgjerimin e procesit të tjetërsimit social të individit eksentrik dhe kriminal. Në këto kushte, të duket sikur situatat asociale dhe tendencat kriminale në shoqërinë tonë janë komplekse, me shkaqe të larmishme me natyrë objektive dhe subjektive, të lidhura me deformimin e natyrës së njeriut, që në shumë raste ka filluar të sillet jashtë cdo dimensioni dhe kondicioni human. Nga ana tjetër, në këtë situatë të kriminalitetit padyshim që ka ndikimin e vet dobësimi autoritetit të ligjit, zbehja e veprimit intransigjent të forcës së shtetit. Në përgjithësi, në perceptimin publik të njerëzve tanë për shkaqet e rritjes së kriminalitetit dhe shtimit të njerëzve shoqërisht të rrezikshëm, është më i pranishëm argument, se kjo situatë është pasojë e dobësimit të “shtrëngimit të jashtëm” social dhe ligjor mbi natyrën e njeriut. Padyshim egërsia kriminale e shfaqur gjithnjë e më shpesh, është bërë shqetësuese për shoqërinë tonë. Mbase, kanë patur të drejtë filozofët, sociologët dhe antropologët, që shumë kohë më parë kanë folur hapur për “natyrën e egër” të njeriut, apo për faktin që zhvillimi kriminalitetit në shoqëri mund të vijë nga mungesa e shtypjes sociale të paradigmave sadiste, të prirjes së njeriut për të përdhosur trupin dhe personalitetin e “njeriut tjetër”, nga që është bërë gjithnjë e më i dhunshëm dhe kriminal. Koha kërkon që në shoqërinë tone, tani patjetër dhe me çdo kusht duhet mbajtur tjetër qëndrim me kriminelët dhe njerëzit asocialë. Kjo është padiskutim një konditë sinë qua non për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Sepse nëse lejojmë që të livadhisin kriminelët apo që ata të bëhen “forcë sovrane” që duan të nënështrojnë shoqërinë, të nëpërkëmbin njeriun e ndërshëm, qytetarin e nderuar, atëherë do të thotë që këto lëshime do të jenë me pasoja për të sotmen dhe të nesërmen, dhe ky qëndrim përbën “kushtin ideal” që të shtohen kriminelët, njerëzit eksentrikë e asocialë. Që jo vetëm po deformojnë jetën por në se lejohen nuk do të jetë e largët dita që ata të kërkojnë të dominojnë shoqërinë, të infektojnë jetën sociale, ta detyrojnë dhe bëjnë njeriun që me dhunë të mësohet, të përshtatet dhe të bashkëjetojë me kushtet që krijon kultura e krimit në Shqipëri. Asnjë frymë tolerance, asnjë lëshim i zbutur sentimental nuk duhet patur me botën e krimit dhe veprimtarinë keqbërëse të kriminelëve, të cilët, jo vetëm nuk janë njerëz normal dhe që duhen vlerësuar me sentimentalizëm social e ligjor, por ndaj tyre duhet reaguar në bllok duke i parë dhe vlerësuar si “material social bruto” i dëmshëm i shoqërisë.

Vetvrasjet, a mund të quhe epidemi sociale e pajustifikuar... ?

Besoj që statistikat e vetëvrasjeve në shoqërinë tonë tregojnë realisht kështu siç po thoni ju, që është një fenomen social që po zgjerohet. Ajo që për mendimin tim është shqetësuese, është fakti se nga pikëpamja demografike dhe e strukturës sociale e atyre që kryejnë vetëvrasje, kjo është shumë e larmishme, sepse vetëvriten jo vetëm të rinj e të moshuar, por vetëvriten burra, gra, njerëz të zakonshëm, artistë, njerëz të jetës publike, të punësuar dhe të papunësuar, çka domethënë që fenomeni është i përhapur demogratifikisht dhe nga pikëpamja sociale. Kjo mua më nxjerr konkluzionin që struktura e vetëvrasjes është e tillë që jo domosdoshmërisht duhet ta lidhim me faktorin ekonomik, sepse siç shikoni ata që i marrin jetën vetes nuk janë thjesht të lidhura me moshën, me profesionin e tyre, me statusin ekonomik, por sipas mendimit tim lidhen me aftësinë individuale të njeriut për të menaxhuar jetën e tij. Dhe kjo duhet kuptuar në mënyrë ontologjike, thelbësore, sepse ne nganjëherë gjejmë faktorë të jashtëm dhe përpiqemi t'i bëjmë diagnoza duke gjetur "ilaçin", i cili ndonjëherë është më keq sesa sëmundja që ka.

Pra në njëfarë mënyre mendoj se duhet t'i futemi shumë thellë kësaj gjëje, kësaj joshjeje irracionale të njeriut për t'i marr jetën vetes. Sipas gjykimit tim, ka arsye që janë përtej njeriut. Ne jemi në një epokë të jetës postmoderne dhe këto tronditjet e njeriut, të jetës postmoderne janë shumë të vështira për njeriun, për individin. Është e vështirë sot të jesh një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh jo vetëm varfërinë, por edhe halle të tjera, bela sociale që i dalin njeriut në jetën e sotme dhe që janë të shumta. Çështja është si t'ia bëjmë?! Kjo jeta postmoderne sjell shumë anomali, shumë ankthe, shumë frikëra.

Jetojmë në një shoqëri, që është në një garë dhe konkurrencë. Është një shoqëri që nuk është kurrë e qetë dhe individi s'ka për të qenë kurrë i qetë as me veten dhe as me të tjerët. Kjo e mban atë në një garë, është vazhdimisht në një proces neurotik, nuk është i qetë sepse nuk ka  pauza kjo shoqëria e ndërtuar sipas modelit turbo-kapitalist. Është shoqëri me vrulle të mëdha dhe kjo bën që një pjesë e njerëzve mos te kenë fuqitë e duhura për ta përballuar atë. Mbeten mbrapa. Kjo sjell pesimizëm, kjo sjell dëshpërim dhe këto janë në njëfarë mënyre portat që hapen dhe e çojnë njeriun  drejt vetëvrasjes.

Domethënë sipas gjykimit tim, kjo lloj hakmarrje ndaj vetes është e shëmtuar. Njerëz që bihen në halle, në varfëri, në bela sociale, në skamje dhe në mënyrë egoiste për të shmangur hallet e familjes ose hallet  e tyre personale i marrin jetën vetes, hakmerren ndaj vetes, duke e konsideruar këtë një shpëtim nga hallet. Kjo është vetëvrasja egoiste. E kundërta, që duhet të ndodhte do ishte: p.sh. një njeri që bie në halle, në probleme sociale, ekonomike, çështje divorci, erotike etj është e domosdoshme që ai mos të gjejë rrugën e shkurtër. Një njeri që bie në halle dhe gjen rrugën e shkurtër duke i marr jetën vetes, bën një vetëvrasje egoiste. Ti nuk mendon se çfarë lë mbrapa. Rëndësi ka që ika unë nga kjo botë dhe ata që janë pas meje le të bëjnë ç'të duan me jetën e tyre. Ky është  modeli më i shëmtuar i vetëvrasjes egoiste që ndodh në shoqërinë tonë. Gjithashtu kam një përshtypje që shumë nga vetëvrasjet  vijnë për shkak të një raporti të njerëzve ndërmjet pritmërive dhe realitetit. Më lejoni ta them që kanë filluar të shfaqen shumë njerëz që kanë utopira, që kanë iluzione. Kini parasysh që utopitë, gjerat e parealizueshme  kthehen në deziluzion. Dhe deziluzioni kthehet në ankth dhe kjo domosdo në dëshpërim individual dhe në këtë rast të çon në vetëvrasje. Unë mendoj se njerëzit nuk duhet të jetojnë me sytë nga qielli, por duhet të jetojnë me këmbë në tokë.

-Realisht a kanë një shkak vetëvrasjet?

Ata që bëjnë vetëvrasje janë paraprakisht të depresuar, pra kanë një shkak që mund të jetë ekonomik, social, erotik, bela sociale, grindje, konflikt, hyrje në borxh, lojërat e fatit  etj, sepse siç besoj janë shtuar faktorët e jashtëm që çojnë në gjendjen e dëshpërimit dhe depresionit. Jetojmë në një shoqëri ku janë shtuar lëndët psikotrope, sëmundjet e pasionit, droga, përdorimi i alkoolit, janë shtuar konfliktet në familje, janë shtuar shumë gjera që kanë efekte degraduese tek njeriu. Domethënë ai që vret veten nuk duhet parë si një fenomen i rastësishëm,duhet parë sfondi social. Sipas mendimit tim ne kemi nevojë të bëjmë parashikime, jo vetëm të shëndetit individual, por edhe për të parë shëndetin e përgjithshëm të shoqërisë. Vetëvrasja është një akt jo vetëm personal, por kanë e një sfond social.

Ne mund dhe duhet të bëjmë studime se cila është gjendja e shëndetit emocional, gjendja e shëndetit psikologjik të shoqërisë; se ne këtu jetojmë dhe e shohim se jetojmë në një shoqëri turbulente, me shumë probleme; varfëria është, politika konflikuale natyrisht ka afektet e veta, ky kaotizmi  social po ndikon, destabilizimi i familjes po ashtu, rënia e  autoritetit të shkollës dhe raportet mësues-nxënës po ashtu. Unë mendoj se në këto grupe nga pikëpamja moshore më të rrezikuarit janë adoleshentët dhe ne duhet të kemi një kujdes  të madh sepse mosha e tyre është një moshë utopike, një moshë ku ata e mendojnë jetën ndryshe  nga ç'e jetojnë; kanë pritmëri më të mëdha dhe e kanë më kollaj  që të bëhen të huaj ndaj vetes së tyre.

Gjeneratori  i parë, për ta bërë njeriun të jetë i aftë të ecë në rrugën e jetës optimist dhe emocionalisht i qëndrueshëm është familja. Nuk ka institucion  më të sigurt për ta larguar njeriun nga vetvrasja sesa familja. Aty gjenerohen gjëra shumë të mira.

Ka solidaritet, humanizëm, lidhje gjaku, ka një hiearki të brendshme, janë  rrethi i dytë i lidhjeve të gjakut që në njëfarë mënyre janë koraca mbrojtëse e njeriut nga rreziku i vetëvrasjes. E dyta është shkolla. Në shkollë po bëhen këta adoleshentët e brishtë, këta adoleshentët romantik, ndonjëherë. Paradoksalisht se jeta në shkollë është liberalizuar inekstremisht, herë pas here kemi  dëgjuar edhe për vetëvrasje tragjike për shkaqe erotike. Ne duhet ti mësojmë adoleshentët mos kapitullojnë nga vështirësitë. Edhe mësuesi është një lider i rëndësishëm që mund të karikojë optimizëm tek të rinjtë.

Padiskutim që edhe shteti dhe shoqëria  ka përgjegjësi në nivelin e vetvrasjeve. Domethënë kur numri  i vetvrasjeve rritet, kjo padyshim tregon që shëndeti i popullsisë nuk është mirë dhe natyrisht se funksionimi i shtetit dhe politikat sociale nuk janë në nivelin që duhet. Është e vërtetë që shteti mund të thotë nuk është përgjegjësia ime vetvrasja, ose nuk e vrava unë, por në një  farë menyre shteti është një lloj fajtori pa faj.

Unë mendoj se shteti është një aktor i madh që ka në dorë gjëra të mëdha. Në fund të fundit niveli i papunësisë, i varfërisë, krizat ekonomike që përjetojnë familjet shqiptare, vështirësitë në problemet e shëndetësisë, arsimimit, probleme të tjera që kanë të bëjnë  me jetën urbane, sigurimin e rendit, shtimin e frikërave, pasigurive, të kriminalitetit, të vrasjeve, vjedhjeve, të gjitha këto janë fenomene që kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe të tërthortë, në shëndetin e shoqërisë në tërësi dhe  të individit në veçanti.

Pse ikin shqiptarët nga vendi?...

Personalisht jam i prirur që fenomenin e largimeve të njerëzve tanë nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian ta shikojë edhe në një drejtim tjetër. Përtej faktorëve tradicionalë e nxitës të tij sikurse janë ata politikë dhe ekonomikë, që gjithnjë kanë qënë në substrat të fenomenit apo më saktë kanë përbërë thelbin e tij ontologjik. Në këtë kontekst duhen parë dhe vlerësuar faktorët e rinj të nxitjes së emigracionit të vonuar, që sipas meje janë të lidhur me fuqinë ndikuese dhe interpretimit të tij si dukuri sociale të lidhur edhe me optikën e ndikimit “ideologjik”, psikologjik e moral që kanë zhvillimet e jetës postmoderne këtu në Shqipëri por dhe përtej saj. Por këto janë arsyet e brendshme të emigracionit. Por ka edhe ca arsye të “jashtme” që i japin spunto atij. Në të vërtetë largimet e njerëzve, urgjenca për të ikur me çdo kusht nga vendi ka edhe disa arsye të tjera, që lidhen me perceptimin e drejtë të vetes nga shqiptarët si “qytetar europian” padrejtësisht i vonuar. Është fare normale që edhe shqiptarët si europianë të kenë përfitimet e tyre në kohën tonë nga dukuritë universal dhe tendenca e fortë e njerëzve për të lëvizur, për t’u larguar për arsye politike, ekonomike, sociale e humane nga strukturat e ngurtësuara të “qytetarisë kombëtare”, të jetës së determinuar me forcë brenda kufijve kombëtarë. Është në natyrën e jetës postmoderne që nxit edhe tek shqiptarët idenë, se jeta dhe tregu i punës gjithnjë e më shumë mund të konceptohen si realitete të mundura edhe përtej kufijve të tregut dhe territorit nacional. Mirëpo duke mos e parë në këtë aspekt problemin, duket se ne e kemi më lehtë që këtë dukuri ta shikojmë si krizë të shfaqur të “qytetarisë kombëtare”. Ne kemi fatin e keq që paradigmat dhe konceptet që përkufizojnë dhe lejojnë veprimin në jetën dhe tregun kontinental të punës, për arsye të ndryshme janë akoma të kufizuara. Reagimi i njerëzve përmes këtij emigracioni të vonuar, tregon në esencë se shqiptarët presin një akselerim të proceseve integruese në tregun europian të punës, njehërësh largim të “gardheve” që na pengojnë të jemi qytetarë me të drejta të plota kontinentale. Sidoqoftë pavarësisht motiveve të emigracionit aktual, shqiptarët nuk e meritojnë negativizmin e disa qëndrimeve diferencuese europiane ndaj kësaj dukurie për të cilën edhe ata kanë përgjegjësistë e tyre histoirike e aktuale, të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Sepse edhe ne nuk mund të jemi të privuar pafundësisht nga e drejta jonë e “qytertarisë së lëvizshme”, i të drejtave të reja që kanë fitur shumë nga popujt e tjerë europianë. Kjo është një arsye madhore që na ndihmon të kuptojmë se përse kjo dukuri e emigrimit të shqiptarëve është padyshim përtej rregullave europiane, normave të shkruara e dokumenteve rregullatore të Bashkimit Europian. Duke e parë me këtë optikë besoj se nuk është gabim, në se fenomenin e vlerëson me optikë bilaterale dhe përgjegjësitë i gjejmë edhe tek ne por edhe tek “ata” europianët e tjerë.

Padyshim emigracionin e tanishëm e favorizojnë edhe disa faktorë esencialë që kanë ndodhur në Shqipëri, sic është fjala vjen libralizimi i vizave dhe udhëtimi në vendet e BE-së pa vizë. Një arritje e madhe e cila nuk mund dhe nuk duhet kompromentuar nga kjo tendencë e emigrimit të parregullt, i cili mund dhe nuk ka të drejtë të vërë në rrezik këtë arritje historike, ndoshta nga më të mëdhatë për shqiptarët. Ndërkaq duket qartë se këtë valë emigrimi e favorizojnë kushtet dhe mundësitë e qarkullimit të lirë e udhëtimit përmes detit, tokës, ajrit. Sociologët këtë mundësi të njerëzve për të lëvizur në mënyrë të gjithanshme e të shumëanshme e kanë konsderuar “përmasë e re e botës postmoderne”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat