BSH analizon efektet e forcimit të lekut: Deficiti tregtar u thellua, por inflacioni u ul

Shqipëria

BSH analizon efektet e forcimit të lekut: Deficiti tregtar u thellua, por inflacioni u ul

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 08:31
Ilustrim

Mbiçmimi lekut ndaj euros ka ndikuar negativisht deficitin tregtar, por nga ana tjetër ka mbajtur inflacionin në nivele të ulëta poshtë objektivit analizoi Banka e Shqipërisë ne lidhje me ndikimet që pati mbiçmimi i monedhës vendase, leku në ekonomi.

Zhvillimet në kursin e këmbimit, sipas BSH dhanë ndikim nëpërmjet kanaleve të mëposhtme:

− Kanali i konkurrencës, i cili nënkupton se një forcim i kursit real të këmbimit ndikon në zgjerimin e deficitit tregtar. Ky kanal ka ndikim negativ mbi hendekun e prodhimit;

− Kanali i bilancit financiar të agjentëve ekonomikë. Forcimi i kursit real të këmbimit ul kostot e shërbimit të borxhit në euro prej kredimarrësve të pambrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe u mundëson atyre më shumë fonde të lira për konsum e investime. Impakti në ekonomi i këtij kanali është pozitiv;

− Kanali i hendekut të normave reale të interesit në euro. Normat reale të interesit të kredisë në euro kanë tendencë rënëse si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe zvogëlimit të primit të rrezikut për kreditë në euro. Ky kanal jep impuls pozitiv në ekonomi;

− Kanali i çmimeve. Forcimi i kursit real të këmbimit ndikon në uljen e presioneve inflacioniste nga çmimet e importit dhe nëpërmjet hendekut të prodhimit (kombinimi i kanaleve të mësipërme të ndikimit).

Banka e Shqipërisë analizon se, dekompozimi i kontributit të faktorëve që ndikohen nga kursi i këmbimit, tregon se forcimi i lekut ka ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar gjatë vitit 2018. Megjithatë, ky efekt është balancuar pjesërisht nga impakti pozitiv i normave më të ulëta reale të interesit të kredisë në euro, dhe pjesërisht nga rritja e fuqisë blerëse të kredimarrësve të pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Në balancë, efekti i mbiçmimit të kursit real të këmbimit përtej prirjes së tij afatgjatë në rritjen ekonomike është marxhinalisht negativ. Forcimi i kursit real të këmbimit përtej prirjes së tij afatgjatë ka sjellë, gjithashtu, edhe reduktimin e inflacionit gjatë vitit 2018. Në nivel mesatar, efekti i kursit të këmbimit vlerësohet të ketë shmangur inflacionin nga objektivi përafërsisht me 0.2 pikë përqindje, por ky efekt ka pasur një tendencë rritëse gjatë tremujorëve të vitit, në përputhje me kohëvonesat e kanaleve të transmetimit të politikës monetare, thuhet në raportin e Bankës Qendrore.

Më tej efekti i përmirësimit të gjendjes ciklike ka sjellë ndikim më të ulët në shmangien e inflacionit nga objektivi. Ndikimi frenues nga kursi real i këmbimit mbi inflacionin pritet të jetë i pranishëm edhe përgjatë tremujorëve të parë të vitit 2019, por efekti i tij në inflacion pritet të vijë në rënie pas tremujorit të dytë

Banka arsyeton se, forcimi i kursit real të këmbimit mund të pasqyrojë një përmirësim të përcaktuesve strukturorë të tij të lidhur me rritjen e produktivitetit, përmirësimin e balancave të jashtme të ekonomisë, rritjen e kërkesës së huaj dhe zvogëlimin e dobësive strukturore të ekonomisë.

Në këtë rast, mbiçmimi është i pritur nga agjentët ekonomikë, të cilët e faktorizojnë atë në vendimet e tyre për konsum dhe investime. Ky forcim i kursit real të këmbimit nuk ka efekt mbi rritjen ekonomike dhe mbi ecurinë e inflacionit. Në rastet kur forcimi pasqyron fenomene të përkohshme, të cilat nuk reflektojnë ndryshime strukturore në ekonomi apo në prirjen afatgjatë të kursit, implikimet e tij mbi inflacion janë negative në afatin të shkurtër.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat