LSI: Rama, terror administratës për të shkuar në antimitingun e Vlorës

Shqipëria

LSI: Rama, terror administratës për të shkuar në antimitingun e Vlorës

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 15:02
Endrit Braimllari

Pak pasi publikoi mesazhet e mbërritura në telefonat e punonjësve të admistratës në jug të vendit, deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari në një dalje për media kërkoi nga ata t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit. Në fjalën e tij, Braimllari u shpreh se kryeministri Edi Rama po zhvillon një antimiting për të përçarë dhe përplasur qytetarët me njëri-tjetrin.

Deputeti i LSI-së tha se protesta e ditës së nesërme është edhe një protestë për të mbrojtur administratën publike nga Rama, të cilin e cilësoi kryeministër anti-kombëtar.

“Jam në këtë komunikim me mediat për të ndarë disa mesazhe për protestën e ditës së nesërme. Nesër është dita e protestës së qytetarëve kundër së keqes. Apeli ynë për protestën e ditës së nesërme, është cilido qytetar që kërkon të luftojë të keqen, të vijë të bashkohet me protestën qytetare.

E keqja, krimi, korrupsioni, përdhunimi, hajdutëria, varfërua ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Frymëzuesi, nxitësi dhe përkrahësi i së keqes në këtë vend. Anti-mitingu i Vlorës, është rikthimi i praktikës së errët të viteve ’90, ku anti-mitingjet synonin përçarjen dhe përplasjen e shqiptarëve me njëri-tjetrin.

Mesazhe pafund presioni , po i dërgohen administratës publike në të gjithë jugun, ku i kërkohet që të marrin pjesë në anti-mitingun e Vlorës.

Edi Rama si një monstër politike, po i bën presion të gjithë administratës, vetëm për të mbajtur pushtetin e tij kriminal që buron nga krimi i organizuar , korrupsioni dhe deformimi i votës së qytetarëve, e cila u vërtetuar publikisht nga përgjimet zyrtare të Prokurorisë nëpërmjet dosjes 339.

Protesta e ditës së nesërme në orën 11 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit është protestë edhe për të mbrojtur administratën publike nga ky kryeministër anti-kombëtar, që mjetin e vetëm për të mbajtur pushtetin, ka terrorin dhe presionin me bukën e gojës së qytetarëve.

Ndaj ftoj të gjithë qytetarët të na bashkohen në protestën e ditës së nesërme me vendosmëri, me qytetari dhe solidaritet kundër një sistemi antivlerash, korruptiv dhe kriminal që Edi Rama ka ndërtuar në vend.”, tha Braimllari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat